Monday, 16 December, 2019

VLERA E BAMIRËSISË, VLERË UNIVERSALE

Empatia, një derë e hapur për mirëdashjen e dhembshurinë, një ndjenjë e çiltërsisë dhe e përgjegjësisë qytetare, u prek e u zhvillua edhe një herë në shkollën tonë përmes një aksioni humanitar. Duke tejkaluar pritshmërinë tonë, nxënësit e shkollës kontribuuan jashtëzakonisht shumë, krejtësisht në mënyrë vullnetare rreth këtij aksioni, finalizimi i të cilit u bë sot, me dërgimin e pakove në familjet në nevojë. Me veshmbathje, ushqime, lodra, mjete higjienike etj. të paktën për sot e mbase disa ditë me radhë fëmijëve të këtyre familjeve do t’u gëzohet zemra, do t’u buzëqeshë fytyra.

Përmes aksioneve të tilla vlerat e bamirësisë në vazhdimësi i kemi nxitur e kultivuar, si një qasje pedagogjike dhe mjaft edukative për nxënësit tanë. Falënderojmë të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kontribuuan për t’u bërë një punë e mirë e tillë.