ORARI

E Hënë - E Premte

08:00-16:00

KONTAKT

+38344260606

+38338244258

ADRESA

Rr. "Sokol Sopi", nr. 107

Matiçan, 10000 Prishtinë, Kosovë

“Mirë se vini në klasën e parë! Suksese në rrugën e dijes!”

“Mirë se vini në klasën e parë! Suksese në rrugën e dijes!”

Me një ceremoni zyrtare të organizuar, sot kemi pritur nxënësit e regjistruar në klasën e parë, të përcjellur nga prindërit e tyre. Fëmijët me emocione të veçanta kanë takuar mësuesen e cila do t’i udhëzojë drejt rrugës së dijes për pesë vitet e ardhshme. Para fillimit të mësimit ata u argëtuan me programin e Palaço me shokë si dhe dëgjuan me vëmendje fjalimin e drejtoreshës së shkollës znj, Afrore Lila, me këshilla të vlefshme për rrugëtimin e tyre.

Fjalimin e Znj. Lila po e sjellim të plotë në vijim:

Mirëmëngjesi, nxënës të dashur, prindër e mësues

Jam vërtet e lumtur që të mirëpres të gjithë nxënësit e mrekullueshëm të Klasës së Parë në Mileniumin e Tretë! Sot shënohet fillimi i një udhëtimi emocionues, i cili na mahnit duke parë fytyrat tuaja të gatshme që të nisni këtë aventurë të të nxënit, rritës suaj, dhe të miqësisë.

Kalamaj tanë të zgjuar dhe kureshtarë, jeni në prag të zbulimit të një bote plot me përvoja dhe mundësi të reja. Do të mësoni të lexoni përralla e histori të mahnitshme, të zgjidhni probleme matematikore që ju sfidojnë dhe të hulumtoni misteret e shkencës e artit. Çdo ditë do të jetë një mundësi për të zbuluar diçka të re për veten tuaj dhe për botën që ju rrethon.

Në Mileniumin e Tretë, ne besojmë që arsimimi është një udhëtim i zemrës dhe i mendjes. Nuk jemi këtu vetëm t’ju ndihmojmë të shkëlqeni në mësimet tuaja, por gjithashtu të kultivoni krijimtarinë tuaj me kreativitet, mirësjellje, dhe durim. Ju inkurajojmë që sa më shumë të bëni pyetje, të eksploroni, të bëni edhe gabime, por të mos ndaloni kurrë ëndrrat tuaja të mëdha.

Prindër e familjarë, ju faleminderit që na besuat fëmijët tuaj të çmuar. E kuptojmë rëndësinë e madhe në rolin tuaj në arsimimin e fëmijës tuaj, dhe e vlerësojmë shumë bashkëpunimin midis shtëpisë dhe shkollës. Mbështetja juaj, inkurajimi dhe përfshirja juaj në zhvillimin e fëmijëve janë të rëndësishme në rrugëtimin tonë duke i udhëhequr bashkë këto mendje të reja drejt një të ardhmeje premtuese.

Ju Mësuese dhe staf i shkollës, keni një rol të pazëvendësueshëm në formësimin e mendjeve e zemrave të nxënësve tanë. Përkushtimi, pasioni dhe kujdesi juaj janë themelet e një udhëtimi të suksesshëm arsimor. Klasa juaj do të jetë hapësirë për zbulim, gëzim dhe zhvillim, ndërsa ndikimi juaj do të lë gjurmë përgjithmonë në këto jetë të reja. Keni parasysh që shpesh nxënësit do të ju bëjnë pyetje të komplikuara, ndaj mos jepni përgjigje të thjeshta.

Klasa e parë është një vit i veçantë – koha kur formohen miqësi, zbulohen talente, dhe themelohet baza e mësimit tërë jetësor. Kështu që, nxënës të dashur të Klasës së Parë, mbani mend të jeni të mirë, të respektueshëm, dhe kureshtarë. Përballuni me sfidat me qëndrim pozitiv dhe dijeni se çdo përpjekje që bëni do t’ju sjellë më pranë ëndrrave tuaja.

Po ju përmendi fjalët e Dr. Seuss, “Sa më shumë që lexoni, aq më shumë gjëra do të dini. Sa më shumë që mësoni, në aq më shumë vende do të shkoni.” Pra, le të fillojmë këtë udhëtim të jashtëzakonshëm bashkë – nxënës, prindër, mësues, dhe staf – si një komunitet i bashkuar që synon të kultivojë karakterin, zhvillimin tuaj deri në shkëlqim, dhe dashurinë për mësimin.

Përsëri, mirë se erdhët në shkollën “Mileniumi i Tretë”! Le ta bëjmë këtë një vit plot me gëzime, rritë të mbarë dhe kujtime të paharrueshme, pikërisht këtë vit, me të cilin ne përmbyllim dy dekada pune, prandaj faleminderit që jeni bashkudhëtarët tanë!