E para studente kosovare për PhD në Universitetin e Harvardit
Zana Buçinca është e para studente kosovare e pranuar për studime doktorale në Shkenca kompjuterike në Universitetin e Harvardit.
Buçinca, shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në shkollën jopublike “Mileniumi i Tretë”. Zana e vogël, që dikur thurte poezi në gjethet vjeshtake kishte një ëndërr të madhe. Madje ëndrrën e vet e pati shfaqur gjithnjë në diskutimet e prezantimeve për orientimin në karrierë. Dhe, sot ajo hapëron suksesshëm studimeve në Harvard.
Si nxënëse përherë tregoi rezultate të larta jo vetëm në mësime, por edhe në aktivitete jashtëmësimore. Përveç aktiviteteve kulturore, shënimin e festave shkollore, Buçinca ka qenë kryeredaktore dhe dizanjere e revistës së shkollës. Shkrimet e saj, qofshin ato recensione apo interpretime letrare, gjatë kohës që ishte në shkollën e mesme, i botoi në revista letrare për të rritur si “Jeta e re”, po ashtu edhe në rubrika të kulturës në gazetat ditore të Kosovës.
Zana, me entuziazmin që kishte nuk rreshti së kërkuari rrugën e arritjes së qëllimit të saj. Kështu, ajo regjistroi dhe përfundoi studimet themelore, Bachelor për Inxhinieri kompjuterike, në Izmir të Turqisë, konkretisht në Institute of Technology me mesataren më të lartë ndër 239 studentë, ndërsa e dyta prej 500 studentëve. Duke qenë e dalluar edhe si studente, madje me publikime dhe pjesëmarrje në shumë konferenca shkencore, ajo fitoi bursë komplete për studime postdiplomike, në Koç University të Stambollit, ku me sukses mbrojti temën e Masterit,: “Integrimi i emocioneve në gjenerimin e dialogut në teknologji”. Duke qenë se deri më tani kishte treguar rezultate të larta në fushën e shkencave teknologjike, Zana u angazhua asistente për disa kurse në lëmin e teknologjisë.
Gjatë studimeve postdiplomike, ajo ka qenë e ftuar në shumë konferenca ndërkombëtare me fokus në inteligjencën artificiale e njëkohësisht publikimet e saj në revista universitare (IIT) janë vlerësuar nga rrethi akademik.
Zana Buçinca është vetëm njëra ndër ish-nxënësit/et e “Mileniumi i Tretë”, që po arrijnë suksese kudo në universitetet më të njohura ndërkombëtare.