Tetori është Muaji Ndërkombëtar i Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, muaji i vetëdijesimit e i ndërgjegjësimit. Me qëllim të tillë shkolla jopublike “Mileniumi i Tretë” sot organizoi aktivitete të ndryshme. I ftuari special, mjeku, drejtor i Institutit të Onkologjisë, z. Ekrem Hyseni mbajti ligjëratë me karakter vetëdijesues para nxënësve, mësimdhënësve e mysafirëve të tjerë lidhur me diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit.
Me prezencën e tij na nderoi edhe kompozitori z. Florent Boshnjaku, prind i Shkollës, i cili ndihmoi në realizimin e këngës “Ecjen ti vazhdo” për interpretim nga nxënëset e Shkollës.
Ndërkaq, fjalimi inspirues i znj. Florije Aliçkaj, mësimdhënëse e shkollës, e prekur nga kjo sëmundje, ishte shumë emocionues, por gjithashtu edhe tejet inspirues. Kjo grua ka ditur të na tregojë të gjithëve se çka mund të bëjë vullneti i çeliktë, duke punuar pa u ndalë, duke rrezatuar çdo ditë pozitivitet e dashuri dhe duke luftuar deri në rikthim të plotë të vetes e normalitetit të jetës. Te të gjithë të pranishmit depërtoi thirrja e saj: “Vullneti mund gjithçka”!
Nxënësit realizuan edhe një sërë aktivitetesh të tjera të ndryshme.