Nxënësit e shkollës sonë bashkë me mësimdhënësen e gjeografisë, Zymryte Avdiu dhe me atë të historisë, Alketa Hasani, realizuan vizitë me karakter mësimor në qytetin antik të Vushtrrisë dhe në Muzeun e Mineraleve në Trepcë të Mitrovicës.
Daljet e tilla në mënyrë të organizuar për nxënësit janë gjithnjë me interes, mirëpo kjo e sotmja ishte vërtet frymëzuese. Në qytetin e Vushtrrisë, i cili më herët është quajtur Vicianum, nxënësit vizituan Kalanë e qytetit, duke u njohur për së afërmi me karakteristikat e kësaj Kalaje aq të vjetër të stilit urban. Ndalesa e radhës u bë në bibliotekë dhe në Muzeun Etnologjik, për të vazhduar pastaj drejt Hamamit të qytetit dhe Urës së Gurit. Prandaj gjithë këto monumente të trashëgimisë e bëjnë qytetin të jetë me vlera kulturore. Gjatë gjithë kohës nxënësit morën informacione nga znj. Shukrane, e cila pa përtese fliste me secilin me shumë dashamirësi.
Më pas udhëtimi vazhdoi drejt qytetit të Mitrovicës, për t’u ndalur në minierën e Trepçës dhe në Muzeun e Mineraleve. Aty nxënësit panë për së afërmi një nga pasuritë e shtetit tonë. Nga këto vizita nxënësit kuptuan se këto vlera të trashëgimisë sonë dhe pasuri duhen ruajtur me fanatizëm, pasi bashkë me karakteristika të tjera përbëjnë identitetin tonë kombëtar.