“Sporti e ka fuqinë për të ndryshuar botën. E ka fuqinë për të frymëzuar. Ai e ka fuqinë për të bashkuar njerëzit në atë mënyrë që shumë pak rrugë munden. Ai iu flet të rinjve në gjuhën që ata e kuptojnë”, thotë Nelson Mandela, por këto fjalë u përjetuan nga fëmijët tanë javën e kaluar përmes lojërave e veprimtarive të ndryshme sportive. Edhe pse pranvera po vonon, shkolla jonë po lulëzon nga aktivitetet sportive. Krahas Mësimit të Bazuar në Projekte, javën e kaluar u mbajtën shumë aktivitete me fëmijët e klasave parafillore e deri te ata të klasës së pestë. Përveç kënaqësisë që fëmijët përjetojnë, përmes këtyre lojërave ne synojmë kultivimin e respektit, bashkëpunimit, lojës korrekte (fair play), socializmit etj. Në sport gjithmonë fitorja dhe humbja janë pjesë e lojës, por e rëndësishme është që nëpërmjet të dyjave të mësojmë diçka. Brohorimat, duartrokitjet, atmosfera e lojërave mbizotëruan fushën sportive. Ndonëse të vegjël, fëmijët e përjetuan ndjenjën e fitores e të humbjes si sportistë të vërtetë. Përmes fotografive po ju sjellim pamje të këtyre lojërave. Nxënës të dashur, merruni sa më shumë me sport që të jeni sa më të shëndetshëm dhe sa më të fortë!