ORA E GJUHËS SHQIPE
SHKRUAN: JON LATIFI
KLASA 9/1
FJALIMI I PARË I SKËNDERBEUT NË KRUJË
Marin Barleti
Sot në klasë u lexua pjesë nga fjalimi i parë i Skënderbeut në Krujë, pas të cilit nxënësit u motivuan të shkruajnë lidhur me elementet që e shquajnë këtë fjalim. Po sjellim një reflektim të nxënësit Jon Latifi lidhur me fjalimin e lexuar.
Skënderbeu, në fjalimin e parë të tij në Krujë, shpreh krenari e mall. Ai e qartëson rikthimin e tij në atdhe, duke e bërë të qartë se kauza e tij nuk ishte një kapriço feudale, por një kauzë fisnike, për të bashkuar popullin shqiptar për t’u përballur me fytyrën e një pushtuesi barbar të lindjes.
Mosdyshimi
Në fjalimin e tij, ai e cek se në asnjë çast gjatë aktivitetit të tij nuk dyshoi dëshirën e pashuar për liri të popullit shqiptar, edhe pse çdo ditë i nënshtrohej regjimit të tiranit.
Modestia
Gjatë fjalimit, Skënderbeu vazhdimisht thotë se lirinë nuk e solli ai, armët nuk i solli ai, por lirinë e armët i gjeti në mesin e popullit të tij, i cili tashmë e priste si hero e çlirimtar. Pavarësisht se ai thoshte se epitetin e çlirimtarit ia lanë pa të drejtë, duke u treguar modest, ai ishte meritor se përmblodhi princat, fisnikët, bujqit e burrat e zakonshëm të popullit. I bëri një, ani pse i ndante klasa, por i bashkonte diçka më e fortë: dëshira për lirinë e atdheut.
Inkurajimi
Skënderbeu i tregon popullit se ky është një rast i artë, të cilin mund ta humbasin nëse janë përçarë, nëse ndiejnë frikë e tradhtojnë. Populli shqiptar këtë e kuptonte mirë dhe luftoi si asnjëherë më parë. Çdo burrë e grua, i aftë për luftë, punuan e luftuan fort për çlirimin e atdheut dhe për ngritjen e flamurit tonë mbi tokën stërgjyshore.