Të premten, shkollën tonë e vizitoi një delegacion prej 4 mysafirësh nga Gjermania, nga shkolla Selma – Rosenfeld në Eppingen. Vizitorë ishin drejtori i shkollës, Wolfgang Neumann dhe mësimdhënës të kësaj shkolle, e cila njihet në landin e vet për aplikimin e kurrikulës së veçantë me bazë në shkollë, prandaj edhe kishin shprehur dëshirën të shohin një shkollë model të mësimdhënies inovative në Kosovë, në këtë rast shkollën tonë e cila promovon mësimdhënien e bazuar në projekte.
Znj. Afrore Lila, drejtoreshë e shkollës, e shoqëruar nga zëvendës drejtoresha e stafi i shkollës pritën delegacionin, të cilit i mbajti një prezantim mbi zhvillimin e shkollës ndër vite, pikat e forta të shkollës me aktivitete që zhvillohen te ne si dhe metodologjinë e punës në shkollë duke sqaruar qasjen inovative dhe të veçantat që e bëjnë shkollën të dalluar nga shkollat e tjera. Interesimi i vizitorëve u përqendrua në vizionin e shkollës, në aktivitetet jashtëmësimore, vlerësimin e performancës së mësimdhënësve e testet e jashtme.
Vizitorët, po ashtu, patën rastin të shohin edhe disa nga klasat dhe kabinetet e shkollës si dhe patën mundësinë të shohin prezantime projektesh, të shkencave të natyrës dhe të gjuhëve gjermane e angleze, meqë ishte përfundimi i javës së projekteve.