Ne, klasat e katërta, realizuam vizitën mujore, në objektin e shtypshkronjës “Rilindja” dhe shtëpisë botuese “Libri shkollor”. Patëm mundësinë të shohim nga afër objektin e punës së shtypshkronjës 40–vjeçare “Rilindja” dhe t’i prekim makineritë, që kanë kryer aq shumë punë përgjatë këtyre viteve. Ishte kënaqësi dhe ne mbetëm të mahnitur nga historiku i objektit, shtypjes së gazetës së parë në gjuhën shqipe me emrin ’’Rilindja” dhe gjithçka që e karakterizonte Rilindjen. Me vëmendje të thellë, dëgjuam rrëfimet e nikoqirit dhe ecëm nëpër objektin e kësaj shtypshkronje. Në shtypshkronjën “Rilindja” kuptuam që tash në vendin tonë ekziston numër i madh shtypshkronjash e ne, këtë vizitë e vazhduam në njërën nga to, në shtëpinë që ka botuar dhe shumë nga librat tanë -’’Libri shkollor’’. Në të mësuam se si shkon procedura e botimit të librave dhe si shpërndahen ato nëpër territorin e Kosovës. Po ashtu nga afër pamë dhe llojet e letrave me të cilat punohen librat tanë dhe gjërat tjera, që e karakterizonin këtë shtëpi botuese. Mirënjohje dhe falënderim për dy shtëpitë nikoqire, për kohën dhe pritjen e mrekullueshme! Ne morëm dhuratë nga dy libra për secilin nxënës, si dhe libra të ndryshëm për bibliotekat e klasave I – V.