Sot, në kohën e zhvillimit të teknologjisë, edhe mësimet në shkollë kapen më lehtë dhe më shpejt. Sidomos kur ke një platformë të tillë, si “yteach”, të cilën shkolla jonë për çdo vit e siguron. Ky program, i punuar për lëndët shkencore, si fizikë, kimi, biologji dhe nga ky vit edhe matematikë ndihmon që nxënësit, jo vetëm të mësojnë mësime të reja nga fusha e shkencës, por edhe të kryejnë ‘online’ detyrat e shtëpisë. Nxënësi mund të hyjë në uebfaqen www.ylearnonline.com, jep emrin, mbiemrin, kodin e lëndës dhe më pas hyn në këtë botën e madhe të shkencës, që jashtëzakonisht lehtë, në mënyrë atraktive dhe shpejt merr informacionin. Programi “Yteach” përmbledh forma të ndryshme e të larmishme, si video, ligjërata, fotografi, pyetësorë etj. Mësimdhënësja e fizikës, Merita Berisha shprehet se kjo është ndër platformat më të suksesshme dhe funksionale që kanë shkollat në botë. “Ky portal është i përpiluar me kurrikulum i cili është i përshtatshëm për përdorim nga mësimdhënësit dhe nxënësit sipas moshës dhe nivelit të të nxënit. Është i pasur me material atraktiv. Këtu përdoret gjuha angleze, një gjuhë e kapshme për nxënësit. Është një formë lehtësimi edhe për ne mësimdhënësit e shkencave, pasi për nxënësit, sidomos detyrat e shtëpisë tashmë nuk paraqesin problem. Madje i bëjnë me ëndje”, thekson znj. Merita Berisha. Mësimdhënësi në “yteach” përzgjedh njësitë mësimore sipas planit dhe programit të lëndës. Temat shtjellohen gjatë orëve mësimore dhe sipas nevojës mësimdhënësi dërgon ligjërata dhe detyra në “ylearnonline” duke i dhënë nxënësit kodin e qasjes. Nxënësi detyrat i zhvillon në orë studimi në shkollë ose në shtëpi. Pasqyra e rezultateve të detyrave në mënyrë automatike i vjen mësimdhënësit, duke parë vështirësitë e nxënësit, nëse ka gabuar, sa ndihma ka shfrytëzuar, sa kohë ka punuar, sa here i ka përsëritur mësimet, etj. Po ashtu mësimdhënësi mund të kufizojë kohën e qasjes së nxënësit në mësimet online sipas nevojës së nxënësit për ushtrime dhe për vlerësim. Portali “yteach” mund të shfrytëzohet nga nxënësi i shkollës në çdo kohë dhe nga çdo vend i botës. Prandaj, në shkollën tonë më nuk ekziston ajo shprehja “s’ma do shkencën”. Përmes programit “yteach” çdo nxënës arrin suksese në lëndët shkencore.