7 Marsi, kjo ditë historike për kombin, u shenjua edhe në shkollën tonë. Me orë letrare, me prezantim projektesh kjo ditë mori karakterin e festës, duke sjellë në kujtesë pishtarët e arsimit shqip, ata që për të parën herë hapën portën e dijes, shkollën e parë shqipe në Korçë. Këto ditë kemi kujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve të tjerë për liri, sakrificën e njerëzve të shumtë për të përhapur sa më shumë dije dhe përkushtimin e nënave e grave tona deri në vetëflijim me të vetmin qëllim që të botën shqiptare të përhapet dija, të jetohet në liri e në paqe. Copëza shkrimesh të nxënësve të klasës së 7-të: … Ajo, pëllumbesha ime e bardhë, yll i rënë nga qielli, drita në sytë e mi… Anisa Kurshumliu … UÇK-ja përbëhej nga ushtarë shqiptarë, civilë, të rinj, të reja, të cilëve në gjak u vlonte dëshira për liri, për vetëqeverisje e identifikim. Këta dëshmorë e ushtarë që luftuan, duhen mbajtur në zemër. Ata u flijuan për lirinë e brezave të ardhshëm. Treguan fisnikëri, burrëri, guxim dhe besnikëri për këtë të bukurën Shqiptari. Jon Latifi … Nënat janë mrekullia e kësaj bote. Mirëpo këto ditë vlerësojmë edhe nënat tona të dyta, mësueset, të cilat na japin dije e na edukojnë me dashuri e njerëzi. Andi Rama … Ky muaj historik u kushtohet heroinave e heronjve tanë, mësueseve e nënave tona. Ato që dhanë tërë diturinë e tyre që ne të arsimohemi në mënyrën me të mirë. Ato u përkushtuan shumë duke na mësuar që ne të jemi të përgatitur për jetë. Prandaj ne duhet të jemi falënderues për mirësitë që gëzojmë! Mal Kubati