Analizë krahasimtare e librit dhe filmit Djaloshi me pizhame me vija (The boy in the Striped pyjamas)
Kjo mënyrë e analizës na bën të jemi mendimtarë kritikë, të reflektojmë për veprimet njerëzore dhe mbi të gjitha, të zhvillojmë sa më shumë aftësitë gjuhësore.
Zakonshëm, në fillim të vitit së bashku me arsimtarët e Gjuhës shqipe bëjmë gati listën e veprave, të cilat do t’i lexojmë gjatë vitit shkollor, në secilin muaj nga një vepër letrare. Secilin vit përpiqemi të përzgjedhim vepra, të cilat duhet të jenë sa më përmbajtjesore, interesante dhe, që përputhen me vlerat edukative e kërkesat e moshës sonë.
Përveç zhvillimit të mendjes, pasurimit me dije të reja dhe zhvillimit të aftësive gjuhësore përmes leximit, synim kemi, që të gjitha ngjarjet e veprave letrare t’i lidhim me realitetin jetësor, pra të vihemi në pozita të personazheve dhe të gjykojmë për ngjarjet.
Klasat e teta, kësaj here lexuam njërin nga romanet më prekëse me temë nga lufta e dytë botërore, në të cilën gërshetohet elementi historik dhe social. Është fjala për luftën kundër popullit hebre, ndërtimin e kampeve naziste dhe gjenocidin e ushtruar ndaj kësaj popullsie.
Gjithë këtë histori më së miri e shfaq fabula e ndërtuar nga autori i veprës, që përmes pafajësisë së dy protagonistëve fëmijë zbulon anën e bukur të jetës dhe pasojat, që bartin veprimet e pamatura dhe ambiciet shkatërruese të sistemit.
Gjithë punën dhe procesin nëpër të cilin kemi kaluar e pasqyrojnë fotot e realizuara në këto orë mësimi.