Sot nxënësit e klasës VI-1 praktikuan të shkruarit e letrës personale dhe të asaj zyrtare. Ata i shkruan letër njëri-tjetrit, ndonjë shoku apo shoqeje jashtë vendit, ndonjë institucioni etj. Rreze Vranica, nxënëse e klasës VI-1 i dërgon një letër arsimtares së Gjuhës shqipe, Violeta Elezi, të cilën po e publikojmë më poshtë.
E dashur arsimtarja Violetë,
Këtë herë dua t’ju tregoj pak për qytetin në të cilin jetoj. Jua kam përmendur ndonjëherë, por kurrë nuk kam pasur rast t’ju flas më gjerësisht për të! Pra, qyteti im, Prishtina, është një vend i bukur dhe interesant. Qyteti nuk ka lumë, por afër tij ndodhen dy liqene, siç është liqeni i Badovcit dhe ai i Batllavës. Gjithashtu ka vende të tjera interesante për t’i vizituar si: Muzeu i Prishtinës, Sahat Kulla, New Born-i, etj. Ndodh që me shkollën të organizojmë ekskursione në parkun e Gërmisë, në të cilin kënaqemi shumë. Gjelbërimi mbulon natyrën ku zogjtë vijnë e na tërheqin me tingujt e tyre të ëmbël. Edhe pranë liqeneve është bukur. Natyra atje është magjepsëse. Zogjtë fluturojnë aq bukur përmbi kokë saqë duket sikur po vallëzojnë. Gjithashtu ia vlen t’i vizitosh dy qendrat tregtare më të mëdha në Prishtinë. Atje mund të gjesh gjëra të mrekullueshme! Më pëlqen ky vend. Sigurisht se ka gjëra që duhen ndryshuar për të mirë, por jam e sigurt që gjeneratat e reja, përfshirë dhe mua, do ta bëjmë këtë!
Me dashuri, Rrezja
Prishtinë, më 30. 10. 2015