Analiza morfologjike dhe sintaksore e fjalisë
Asnjëherë më mirë nuk i kemi përforcuar njohuritë gjuhësore, se sa tash kur analizojmë funksionin e tyre. Këto njohuri përfshijnë renditjen e fjalëve në fjali, lëvizjen e tyre në fjali dhe funksionin, që marrin klasat gramatikore në fjali.
Dhe, orët e analizës morfologjike dhe sintaksore mezi i presim, radhën për të dalë në tabelë dhe për të analizuar fjali. Sa herë kemi vështirësi kërkojmë ndihmën e shokëve të klasës, të cilët në të njëjtën kohë analizojnë fjalitë në fletoret e tyre. Mësimdhënësit e Gjuhës shqipe na qëndrojnë afër kur ne mund të gabojmë ose kemi dilema për ndonjë çështje të caktuar.
Porositë e mësimdhënësve të Gjuhës shqipe na janë të qarta se kjo metodologji dhe praktikë e punës, jo vetëm që është mënyra më e lehtë për ta mësuar gramatikën, por edhe mundësia më e mirë që t’i përforcojmë njohuritë dhe ta njohim më thellë mënyrën e funksionimit të fjalëve në fjali, duke i gërshetuar edhe me njohuritë tjera gjuhësore e letrare.
Pra, me zotërimin e mirë të rregullave drejtshkrimore, me kulturën e shkrimit, të cilën do të vazhdojmë ta kultivojmë përmes leximit të veprave letrare dhe me njohjen e teksteve letrare dhe strukturimin e tyre, synojmë të jemi shkrues dhe folës sa më të mirë të gjuhës sonë.
Është gjuha jonë e bukur dhe ne jemi me fat për lashtësinë dhe fuqinë e saj.