Sot, në prag të festës së madhe të Ditës së Flamurit, kemi kënaqësinë të ju kemi në mesin tonë, prandaj më lejoni të ju sjellë përshëndetjet më të ngrohta në emër të shkollës “ Mileniumi i Tretë”.
Kjo festë, si gjithmonë di të na bashkojë të gjithëve tok që flasim e shkruajmë shqip, jo vetëm në shkolla, por në gjithë hapësirën ku frymohet Kuq e Zi. Edhe Shkolla jonë, në kuadër të aktiviteteve të Nëntorit të Madh bën përpjekje që te nxënësit të kultivojë ndjenjën e atdhedashurisë, si e vetmja dashuri që nuk shuhet kurrë. E për këtë, dëshmia që flet është kjo skenë dhe ekspozita nga nxënësit si edhe vetë ushqimet tradicionale që kanë sjellë nxënësit për të shenjuar këtë ditë të bukur.
Pavarësisht kërkesave të kohës, mësimdhënies bashkëkohore, integrimeve sociale për të vënë në funksion filozofinë, njëkohësisht moton që “njeriun ta bëjmë njeri”, kreativisht të zhvilluar, të gatshëm, dhe të sprovuar mirë për të nxënë gjatë gjithë jetës, ngritja e vetëdijes nacionale & historike është një nga pikësynimet tona që nxënësit tanë ta duan, ta respektojnë dhe ta sublimojnë së pari identitetin kombëtar e më pas edhe atë evropian.
Rruga e Pavarësisë së Shqipërisë së pari, dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës së dyti janë nyjat kyçe të dy shekujve të fundit në të cilët populli ynë përkundër padrejtësive të vazhdueshme ia doli më mirë se kush të kurorëzojë atë për të cilën çdo qytetar i botës e kishte dhe e ka ëndërr, lirinë individuale, për më tepër atë kombëtare.
Prandaj, sot dhe për mot kjo festë na ringjall ndjenjën më të fortë të dashurisë e respektit për Shqiptarinë, na bën edhe më të përgjegjshëm kundrejt ngritjes e mbrojtjes së vlerave qytetëruese të shtetit tonë të ri, Kosovës, i cili dita ditës duhet të shndërrohet në një model për fëmijët tanë se si ndërtohen shkathtësitë e kompetencat e këtij shekulli ashtu që të nesërmen ta gëzojnë të gatshëm për t’u ballafaquar me bashkë-qytetarët e tyre nëpër botë.
Le të mos harrojmë, çdo festë si kjo duhet të na inkurajojë të jemi më të përkushtuar në mësime, shumë të përgjegjshëm ndaj shtetit, dhe me punën tonë profesionale të kultivojmë ngritjen e vetëdijes kombëtare, që duke qenë Një me shtetin tonë amë t’i bindim të tjerët se misioni i Rilindësve vonon, por nuk harron.
Gëzuar, 28 Nëntori!!!
Afrore Lila