Kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, ishte për një vizitë diskutimi në Shkollën Jopublike “Mileniumi i Tretë. Ajo u takua me nxënës të Ciklit të Ulët, para të cilëve rrëfeu çdo gjë që lidhej me të arriturat e saj në xhudo. Nxënësit, të motivuar nga suksesi i Majlindës, nuk reshten së pyeturi lidhur me aktivitetin e saj që nga fëmijëria e deri te marrja e titullit botëror.
E para e botës në xhudo, përveç tjerash tha se “ Secili nga ju mund të arrijë me përkushtim dhe besim ”. Kelmendi shpalosi sfidat nga më të ndryshme deri te fitorja e 29 medaljeve të arit, 8 të argjendta dhe 9 medalje të bronzta.
Për nder të saj, nxënësit e shkollës shfaqën një program artistik, ndërsa drejtoresha e shkollës, znj. Afrore Lila, e përgëzoi për suksesin dhe e falënderoi për kohën që ndau për të qenë pjesë e diskutimit me nxënës.
Ky aktivitet është në vazhdën e shumë aktiviteteve të tjera që shkolla organizon, qoftë në formë të debateve, po ashtu edhe të vetëdijesimit të nxënësve për të arriturat e njerëzve të suksesshëm.
Vizita u realizua me ndihmën e z. Fisnik Deçani, prind i shkollës.