U desh pothuajse një vit shkollor që më të vegjëlit tanë të vinin themelet e diturisë së tyre. Ata, më në fund mësuan të gjitha shkronjat e gjuhës sonë të ëmbël shqipe. Kjo arritje e rëndësishme për ta u shënjua me festën e organizuar enkas për këtë qëllim, Festën e Abetares. Festa e Abetares u mbajt me datë 30.4.2014 në teatrin “Dodona”, me një program të realizuar nga aktivi i klasëve të para. Nxënësit shfaqën pika të ndryshme para më të dashurve të tyre (prindërve, gjyshërve dhe të afërmve të tjerë), që kishin ardhur t’i shihnin në ditën e tyre më të rëndësishme, ditën kur ata festuan mësimin e të gjitha shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe. Pikat që nxënësit shfaqën para të pranishmëve përfshinin poezi për abetaren dhe poezi të tjera, valle popullore dhe vals, këngë në gjuhë gjermane, angleze dhe shqipe si dhe dy drama. Le të shkëpusim një pjesë të fjalëve që ua përcolli të pranishmëve drejtoresha e shkollës, krenare për kurorëzimin e suksesshëm të Abetares nga gjenerata e dhjetë e klasës së parë. “Vërtet, sot jemi para engjëjve leximtarë, para këtyre arkitektëve të së ardhmes. Janë këta yjet të cilët me përkushtim dhe durim të madh, i mësuan të gjithë tingujt, lidhën fjalët, fjalitë, duke e shndërruar udhën e shkronjave në një rrugë të artë për të nxënë gjatë tërë jetës. Janë këta nxënësit tanë, që për një vit shkruan dhe pikturuan fjalët, me cicërimën e tyre, tamam si zogj krahëlehtë, të cilët nga këtu marrin fluturimin. Kjo na bën që sot të jemi krenarë dhe të ndihemi si një çerdhe e ngrohtë, si një institucion efikas që po i gatitë për të ardhmen…”.