Tre fotografët më të mirë të shkollës “Mileniumi i Tretë” janë: Dakol Hadri – Vendi i parë, Dea Buleshkaj – Vendi i dytë dhe Gentiana Hoxha – Vendi i tretë. Fotografitë më të mira u përzgjodhën nga fotografi i njohur shqiptar, Afrim Spahiu. Nga 79 foto konkurruese, i nderuari Spahiu përzgjodhi dhjetë më të mirat, duke veçuar pastaj treshen finaliste.
Ky KONKURS FOTOGRAFIE për herë të parë në shkollën “Mileniumi i Tretë” është hapur sivjet për nder të Festave të Marsit. Sipas mësimdhënëses së Gjuhës shqipe, Violeta Elezi, ideja për këtë konkurs erdhi pas dy projektesh për fotografinë. “Për dy vjet radhazi në shkollën tonë kam realizuar projekte për fotografinë, nga të cilat kanë dalë produkte të mrekullueshme. Gjatë asaj kohe kam vërejtur se nxënësit mund të realizojnë fotografi interesante”, thekson ideatorja dhe realizuesja e këtij Konkursi, Violeta Elezi, e cila shton se vitin e ardhshëm do të caktohet edhe tema e konkursit. Ky projekt kulturor, i cili mëton të bëhet tradicional, synon të nxjerrë në pah fotografë të rinj të shkollës dhe të përurojë fotografinë si formë e shprehjes së artit bashkëkohor.