Ishte kënaqësi dhe privilegj të kishim në shkollë, prindin e shokut tonë, Drinit dhe njërin nga autorët e librit “Historia 5”, libër me të cilin mësojmë historinë kombëtare dhe të huaj.
Frashër Demaj na bëri të ndihemi krenarë me historinë tonë, me sakrificën e vazhdueshme të popullit shqiptar dhe mbi të gjitha me të kaluarën e lashtë e të begatë të popullit shqiptar. Ne dëgjuam me kureshtje çdo fjalë të tij, fjalë, të cilat tingëllonin bukur, zinin vend dhe na jepnin porosi se sa i vlefshëm është atdheu.
Porosia më e mirë që morëm ishte se ne, fëmijët duhet që të punojmë shumë që të kemi një histori të ndritur, një të ardhme të ndritur. Me kureshtjen tonë fëmijërore, shtruam pyetje të ndryshme për historinë njerëzore dhe morëm përgjigjet e duhura për moshën tonë duke falënderuar përzemërsisht z. Frashër Demaj për kontributin e tij dhe fjalët e tija të arta.