Kaloi pothuajse një vit nga fillimi i klasës së parë, ditës kur për herë të parë nxënësit e klasave të para u ulën në bankat shkollore për t’u nisur në një rrugëtim të gjatë drejt dijes.
Mësuan shkronja, numra, fjalë e fjali, të shkruajnë e të lexojnë për bukuri fjalët e tyre më të dashura dhe libra të ndryshëm.
Festa e Abetares u mbajt me datë 17.5.2017 në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë, me një program të realizuar nga departamenti i klasave të para. Nxënësit shfaqën pika të ndryshme para prindërve, gjyshërve dhe mysafirëve të tjerë, që kishin ardhur që t’i shihnin dhe uronin në ditën e tyre të veçantë. Pikat që nxënësit shfaqën para të pranishmëve përfshinin poezi për shkronjat e alfabetit dhe poezi të tjera, këngë, balet, valle popullore si dhe një pjesë teatrale me porosi të caktuara për fëmijët rreth mësimit dhe të ardhmes.
Të pranishmit në këtë festë i përshëndeti edhe zëvendës drejtoresha e shkollës Fitore Hoxha duke shprehur kënaqësi dhe mirënjohje për gjeneratën e re të shkollës sonë.
Me përfundimin e Abetares, nxënësit e klasave të para, fillojnë një kapitull të ri të jetës së tyre, drejt universit të madh të dijes dhe sukseseve.