Në ditën e parë të pranverës, me lajmëtarët e saj zogjtë, lulet, e freskinë dhe në sheshin e bukur të Prishtinës nxënësit e klasave të pesta të shkollës Mileniumi i Tretë ishin bashkë me fëmijët e prekur me Sindrom Down, të cilët shënuan aktivitetin e radhës të projektit Kosovision. Të buzëqeshur, me njërën dorë të shtrënguar, me dorën tjetër balonën shumëngjyrëshe dhe me simbolikë për qëllimin dhe kuptimin e jetës përçuan porosi për qytetarët duke defiluar në sheshin Nënë Tereza me moton: Më përkrah sot, që nesër të jem i pavarur. Shënimi i kësaj dite vazhdoi në Teatrin Kombëtar me programin e organizuar për këtë ditë. Nxënësit e shkollës sonë ishin pjesë e rëndësishme e dokumentarit të realizuar dhe shfaqur nga Qendra e Fëmijëve me Sindrom Down. Përveç kësaj, një nxënës i shkollës sonë recitoi edhe një poezi në gjuhën angleze me porosi domethënëse Different. Në hollin e Teatrit Kombëtar u ekspozuan edhe pikturat e punuara nga duart e nxënësve tanë dhe bashkëmoshatarëve me SD. Paratë e fituara nga pikturat e shitura iu dhuruan simbolikisht Qendrës së Fëmijëve me Sindrom Down. Nxënësit u kujdesën edhe për zbukurimin e sallës dhe dhuruan balona për të gjithë fëmijët pjesëmarrës. Një ditë e shënuar, një mesazh i dërguar për të përkrahur njëri-tjetrin sa herë kemi nevojë!