Ndonëse alpinizmi njihet si njëri nga sportet më atraktive dhe të rrezikshme që ekziston, një emërtim i tillë nuk e ndalë dot Arineta Mulën – alpinisten e njohur kosovare, që të eksplorojë majat më të larta dhe ekstreme që ekzistojnë në botë. Në bashkëpunim me Komitetin për Organizimin e Ngjarjeve në shkollë nga radhët e Këshillit të Prindërve, Arineta Mula, alpinistja e njohur kosovare, vizitoi shkollën “Mileniumi i Trete” e cila ndau përvojat dhe sfidat e saja jetësore së bashku me nxënësit e klasave të katërta dhe të pesta. Që kur e filloi ecjen e parë nëpër bjeshkë, pasioni dhe dashuria që malet mbollën tek Arienta, ishte i padiskutueshëm. Arineta u bë një me malin! Si femër e fuqishme dhe e guximshme, ajo nuk u dorëzua asnjëherë, fillimisht u ngjit nëpër malet më të larta në Kosovë, dhe tutje së bashku me klubin “Alpin” filloi përgatitjet fizike dhe mentale për të pushtuar majat më të larta në Evropë, e më tutje edhe në botë. Arineta u ngjit në malet Mount Blanc, Kilimanjaro, Matterhorn – njëra nga majat më rrezikshme që ekziston, ndërsa në malin Everest është ngjitur në vitin 2017. Arineta është duke u përgatitur për ekspeditën e radhës. Shkolla “Mileniumi i Tretë” falënderon përzemërsisht Arinetën që gjeti kohë për të ndarë eksperiencën e saj si alpiniste.