ORARI

E Hënë - E Premte

08:00-16:00

KONTAKT

+38344260606

+38338244258

ADRESA

Rr. "Sokol Sopi", nr. 107

Matiçan, 10000 Prishtinë, Kosovë

TRICK YOUR BRAIN: NË MUZEUN E ILUZIONEVE

TRICK YOUR BRAIN: NË MUZEUN E ILUZIONEVE

Me moton “Trick your brain” nxënësit e shkollës “Mileniumi i Tretë” vizituan Muzeun e Iluzioneve në Prishtinë, i cili është i pari i kësaj natyre që është hapur në botën shqiptare.

Së bashku me mësimdhënësit e tyre, nxënësit e klasave të nënta  provuan adrenalinën që ta sjellin 36 iluzione optike, në forma dhe trajta të ndryshme, në kënde e hapësira të cilat realisht janë teknikë e ngjyrave (artet vizuale), matje dhe kënde interesante (që konotojnë me logjikën matematikore), me hapësira iluzionisht të realizuar që të fusin frikë dhe fërgëllimë (e që lidhen përgjithësisht  me psikologjinë dhe në veçanti neuroshkencën) dhe eksponate që para syve përmbysin botën reale dhe duken krejt si të vërteta .

Kjo ishte një vizitë tejet emocionale, me pikësynim eksplorimet individuale në relacion mes pamjes, ndjenjës dhe perceptimeve trunore,  e që ndryshojnë varësisht prej cilit subjekt shikohet e perceptohet.

E bukura e kësaj vizite  ishte fakti se këta nxënës provuan nga afër truqet e trurit të vet, të cilat syri ia hedh mendjes dhe kjo e fundit- reagimeve emocionale, qoftë ajo në dhomat shumëkëndëshe, me objekte që i ngjajnë së vërtetës,  qoftë  ambiente që ngjasojnë me përmbytjet mitike, si: ashensorë të rrënuar në formë të guvave, diku tjetër një tren sikur bëhej se vinte drejt tyre dhe do të shkatërronte çdo gjë, më tej objekte të përmbysura, tamam si në letërsinë fantastike apo filmat fantastikë-shkencorë.  Kjo ishte jo vetëm një truk i syrit, mendjes dhe i shpirtit, por një udhëtim në botën imagjinative, përplot iluzione që  u ‘prekën’ nga afër në mënyrë grupore, por edhe individuale nga secili nxënës .

Mbi të gjitha, kjo vizitë ishte edhe një sintezë kreative ndërlëndore, e cila gjithnjë praktikohet në shkollën tonë.

Muzeu i Iluzioneve është hapur këto ditë në Prishtinë,  e që pas atij të Zagrebit është ndër më të mirët jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.