Grupi i nxënësve, të cilët ishin pjesë e projektit “Paqja përmes ndërmjetësimit dhe tolerancës” dolën të jenë përfitues të mëdhenj, jo vetëm për njohuritë dhe praktikimin e shkathtësive, që i morën dhe i demonstruan, por edhe për jetëgjatësinë e projektit, i cili do të fillojë të zbatohet në shkollën tonë. Nxënësit tashmë dinë më shumë për konfliktet në mes të bashkëmoshatarëve, për procesin e ndërmjetësimit dhe të qenët vetë ndërmjetësues. Përmes aktiviteteve të ndryshme, të cilat janë zhvilluar në ambientet e bukura të Resortit “Tropical”, janë arritur objektivat dhe qëllimi kryesor i projektit. Pra, të gjitha këto aktivitete, në prezantimin final janë kurorëzuar duke i improvizuar situatat e konflikteve në mes të nxënësve bashkëmoshatarë dhe duke i luajtur këto situata konflitesh me role, përmes hapave të ndërmjetësimit. Zbatimi i këtij projekti hap rrugë për marrjen e më shumë përgjegjësive nga nxënësit, zhvillon tolerancën dhe korrespondon me praktikat e ndjekura nga shkollat ndërkombëtare.