Derisa nxënësit edhe këtë javë po pushojnë, në shkollën “Mileniumi i Tretë” po bëhen përgatitjet për gjysmëvjetorin e dytë. Sot, në një nga takimet e departamenteve, mësimdhënëset Hava Kelmendi dhe Besa Brahimi prezantuan një punim me titull “Disiplina në klasë”.
Më pas, me mjaft interes mësimdhënësit morën pjesë në punëtorinë “Përdorimi i teknologjisë në vlerësim dhe ndërtimi i testeve elektronike”, e ndarë në dy seanca. Megjithëse përdorimi i teknologjisë në shkollë është në një nivel të lakmueshëm, mësimdhënësi Valmir Sadiku ndau risi të fushës së vet profesionale me kolegët, sa u përket këtyre dy temave atraktive. Sigurisht se këto aktivitete janë në kuadër të planifikimeve të kujdesshme që në shkollën tonë bëhen vazhdimisht për të korrur suksese të reja, dhe në funksion të ngritjes së bashkëpunimit kolegial.