Pjesë e rëndësishme e shkollës “Mileniumi i Tretë” është edhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i mësimdhënësve. Shkolla vazhdimisht ofron mundësi që punonjësit e saj të jenë në hap me ndryshimet e vazhdueshme që ndodhin në shoqëri, e posaçërisht në arsim. E tërë kjo me qëllim që puna e cila zhvillohet në shkollë t’iu ofrojë mundësi nxënësve që të fitojnë shkathtësitë e duhura për jetë e punë. Pjesë e këtij zhvillimi profesional ishte edhe kursi me bazë në shkollë “Zhvillimi i shkathtësive të leximit në klasat e hershme”, kurs i hartuar nga Programi për Arsimin Themelor (BEP), i cili u mbajt nga 02 – 04 korrik 2013. Në këtë kurs pjesëmarrës ishin mësimdhënësit e klasave I – V, si dhe arsimtaret e gjuhës angleze. Kursi u mbajt nga Vllaznim Balidemaj dhe Alida Thaçi, mësimdhënës të shkollës sonë. Qëllimi i organizimit të këtij kursi në shkollën tonë ishtë që mësimdhënësve t’u ofrohet një program pune që fokusohet në zbatimin e teknikave dhe strategjive për të përmirësuar shkathtësitë e lexim – shkrimit te nxënësit e klasave të hershme. Mësimdhënësit u ndanë mjaft të kënaqur me përmbajtjen e kursit dhe e vlerësuan si shumë të dobishëm për punën e tyre të mëtejme.