Në klasën tonë, IV/2, në kuadër të bashkëpunimit me prindër për projektet modulare kësaj here ishin prezentë prindërit e nxënësit dhe shokut tonë të klasës Yllit, znj. Lindita Azizi dhe z. Bashkim Rudari, të cilët na shpalosën shumë informacione për punën në Radio Televizionin e Kosovës, institucionin në të cilin zhvillojnë profesionet e tyre. Nëna e Yllit, znj. Lindita, na tregoi se sa i rëndësishëm është profesioni i gazetarisë, na tregoi se si është një ditë pune e përditshme e një gazetari/gazetareje. Ajo na foli për sakrificat e gazetarit. “Një gazetar, kur të gjithë mund të pushojnë, atij i duhet të gjurmojë për ndonjë lajm të ri, ose të përcjellë ndonjë ngjarje të caktuar. Puna e gazetarit, është një mision, ndërgjegjja dhe e vërteta e shoqërisë. Ai apo ajo nuk e ka aspak të lehtë që ta arrijë, ta grumbullojë dhe të përgatisë një lajm, informacion apo intervistë.” Ndërsa, babai i Yllit, z. Bashkimi, na foli për profesionin e producentit dhe tha se ky profesion është vegla kryesore e filmit, sepse producenti është ai që e sjell në realitet një vepër apo histori. Z. Bashkimi para nxënësve prezantoi edhe disa nga mjetet e punës si: Kamerën profesionale televizive, një aparat fotografik dhe një mikrofon. Ne ishim shumë kureshtarë që të provojmë dhe praktikojmë secilën nga mjetet e sjella në klasë dhe i falënderojmë prindërit e Yllit për informacionet që na dhanë për gazetarinë dhe botën televizive.