Përveç që u kënaqëm me pushimet e verës, u kënaqëm edhe me librat, që i kemi lexuar gjatë pushimeve. Dhe jo vetëm kaq, kur filluam vitin e ri shkollor ne kemi prezantuar dhe komentuar me radhë, në orët e para të Gjuhën shqipe, me arsimtarin e ri të Gjuhës shqipe përmbajtjet dhe porositë e veprave letrare. Së bashku me të kemi diskutuar për rëndësinë e leximit dhe mënyrën se si të vazhdojmë të zhvillojmë aftësitë gjuhësore të komunikimit.
Në fillim të muajit tetor, filluam në mënyrën më të mirë me caktimin e veprave letrare, të cilat do t’i lexojmë gjatë këtij viti shkollor. Bashkë me arsimtarin dhe mësueset tona vizituam librarinë “Artini”, për të përzgjedhur librat edukativë për moshën tonë. Pasi shfletuam përmbajtjen e librave dhe morëm edhe këshilla dhe udhëzime nga arsimtari dhe shitësit e kësaj librarie, bëmë listën e librave, që do t’i lexojmë gjatë këtij viti, nga një për secilin muaj.
Të gjithë ishim të kënaqur me përzgjedhjen e veprave letrare dhe tashmë jemi gati të fillojmë nga romani i parë, “Vjollca magjike” i shkrimtarit të njohur për fëmijë Rifat Kukaj, për të vazhduar me autorë të tjerë të huaj me veprat dhe ngjarjet e vërteta, imagjinare, aventuristike, interesante dhe mbi të gjitha edukative, që na bëjnë të mendojmë se si të sillemi në jetë, gjithmonë duke u vënë në pozitën e personazheve.
Arsimtar, mësuese dhe prindër të dashur na uroni lexim të mbarë, sepse ne do të lexojmë gjatë gjithë vitit dhe do të jemi lexues të zellshëm e komentues të shkëlqyeshëm.