Edhe këtë vit në shkollën tonë u mbajt Panairi i Shkencave. Të premten, më 27. 5. 2016 shkolla gëlonte nga zërat entuziastë të nxënësve të cilët prezantonin punën e tyre me shumë përkushtim. Disa nxënës të ndarë nëpër grupe të vogla nëpër stendat e vendosura në mjedis të shkollës demonstronin eksperimente të ndryshme nga shkencat natyrore, ndërkaq të tjerë punëdore e hamera nga shkencat shoqërore.
Gjatë ecjes nëpër mjedise të shkollës sonë për një çast mund të gjendeshe përballë Kalasë së Krujës, punuar aq bukur në miniaturë, mund të shihje mikroorganizma të ndryshëm në mikroskop, mund të merrje informacione se si mund të mbijetosh në mars, për shembull, duke pasur për bazë gjithashtu edhe filmin “The martian”, mund të provoje edhe vetë shumë eksperimente fizike e kimike, mund të merrje tokën në dorë, për të parë e analizuar shtresat e saj (punëdore), apo edhe mund të shihje në një monitor pa filtrin polarizues. Fuqia e fjalës ishte e prezantuar bukur përmes hamerave të mëdhenj e shumëngjyrësh.
Tashmë Panairi në shkollën tonë është ndër aktivitetet që pritet me shumë interesim, pasi nxënësit me punën e tyre shprehin kreativitetin në forma të ndryshme. Fillimisht ka nisur si aktivitet në të cilin janë prezantuar vetëm punime nga shkencat natyrore, ndërkaq tashmë ka marrë dimension gjithëpërfshirës. Falënderojmë mësimdhënësit që vazhdimisht qëndrojnë afër nesh duke na nxitur e motivuar. Gjithashtu falënderojmë edhe prindërit që ishin prezentë në këtë aktivitet!