ORARI

E Hënë - E Premte

08:00-16:00

KONTAKT

+38344260606

+38338244258

ADRESA

Rr. "Sokol Sopi", nr. 107

Matiçan, 10000 Prishtinë, Kosovë

SHKOLLA JOPUBLIKE “MILENIUMI TRETË” DHURON BURSA TË PLOTA SHKOLLIMI PËR DY SHOKËT E FILMIT “SHOK” QË SHKELËN SKENËN E OSKAR-it

SHKOLLA JOPUBLIKE “MILENIUMI TRETË” DHURON BURSA TË PLOTA SHKOLLIMI PËR DY SHOKËT E FILMIT “SHOK” QË SHKELËN SKENËN E OSKAR-it

1-DSC_0001 2-image (3)

Dy fëmijët, artistët e mrekullueshëm të filmit të metrazhit të shkurtër “Shok”, Lum Veseli dhe Andi Bajgora do të mund të fillojnë shkollimin e tyre në Shkollën “Mileniumi i Tretë”.

Drejtoresha e Shkollës “Mileniumi i Tretë”, Znj. Afrore Lila,  njoftoi sot se Shkolla “Mileniumi i Tretë” ofron 2 bursa të plota shkollimi për dy fëmijët që e bënë Kosovën të ndihet krenare me nominimin e filmit “Shok” për çmimin “Oskar”, në të cilën patën role kryesore këta dy artistë.

Përfituesit e bursave janë përzgjedhur nga vetë Shkolla duke i dhënë prioritet artit kosovar.

 “Sot më shumë se kurrë, është e rëndësishme që fëmijët tanë të marrin arsimimin për të cilin ata kanë nevojë, e vendi ynë sot më shumë se kurrë ka nevojë për ta. Ky investim nuk është investim vetëm i së ardhmes së tyre, por është investim edhe për të ardhmen e artit në vendin tonë duke e prezantuar Kosovën edhe në evente ndërkombëtare”, tha drejtoresha e shkollës  Afrore Lila.

“Vitin e kaluar u përkrahën 4 fëmijë me inteligjencë superiore të Projektit “Atomi” ndërsa këtë vit Shkolla “Mileniumi i Tretë” me kënaqësi do të hapë dyert dhe të ofrojë mundësi të pakufizuara të shkollimit për 2 bursistë të tjerë nga fusha e Artit Kinematografik. Mësimdhënia NDRYSHE që ofron vazhdueshëm kjo shkollë përmes aktiviteteve të mësimit të rregullt dhe atyre jashtëmësimore do t’u mundësojë këtyre fëmijëve zhvillim maksimal të potencialit të tyre me dije, shprehi e shkathtësi të shek. XXI. Përkrahja e fëmijëve të talentuar për aktrim është e një rëndësie të veçantë për të gjithë vendin duke qenë të vetëdijshëm se sa pak përkrahet arti në Kosovë. Prandaj, ne jemi të gatshëm t’i mbështesim ata duke iu ofruar shkollim adekuat të nevojshëm dhe ndër më cilësorët në vend, ku përveç tjerash u kushtohet kujdes i veçantë edhe lëndëve të shkathtësive duke hapëruar të gjithë bashkë drejt përmbushjes së vizionit të shkollës sonë” –  përfundoi ajo.

Bursat e plota të shkollimit, të ofruara nga Shkolla Mileniumi i Tretë mbulojnë kostot e shkollimit përgjatë gjitha viteve akademike të shkollimit të përfituesit,  që përfshin edhe tekstet e materialet mësimore (2,100 – 2,300 EUR), sigurimin e ushqimit rreth 600 EUR,  sigurimin e transportit rreth 270 EUR e që në total rreth 2,970-3,170 EUR arrin vlera monetare për vetëm një bursë. Sigurimin e transportit të dy aktorëve të vegjël e merr përsipër vetë kompania e transportit “Trio Trans”, me të cilën ka marrëveshje Shkolla tash e 12 vjet.

Filmi i metrazhit të shkurtër “Shok”, i regjisorit Jamie Donoughue është drama njerëzore që shpërfaq luftën në Kosovën e vitit 1998, ku Lumi dhe Andi me performancën e tyre përlotën çdo shikues duke rikujtuar te secili nga një histori dramëze të përjetuar në forma të ndryshme, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Familjet e dy djemve që i kontribuan ngritjes së imazhit të Kosovës në botë e mirëpritën këtë iniciativë nga Shkolla “Mileniumi i Tretë”.

E ëma e Lum Veselit, znj. Shengyl Ismaili (aktore me profesion) shprehet: “Për mua ka qenë një befasi shumë e këndshme dhe e mirëseardhur, jemi ndjerë si familje shumë të privilegjuar që Lumit iu ofrua mundësia e shkollimit pa pagesë në një ndër shkollat më të mira që ka Kosova. Faktikisht suksesi i Lumit si një aktor i ri u kurorëzua me një shkollim të denjë, për çfarë do t’i jemi mirënjohës deri në pafundësi për këtë mundësi që i ofroi kjo shkollë Lumit. Besoj se mënyra se si mund ta kthejmë respektin e ndërsjellë do të jetë angazhimi i Lumit në mësime edhe dy herë më shumë. Si nënë ndihem shumë e nderuar dhe e relaksuar kur e di se ku do të marrë mësimet e mëtutjeshme Lumi, ngase ne, prindërit e tij si artistë që jemi nuk do të kishim mundësi t’i ofrojmë Lumit shkollim në këtë shkollë prestigjioze, me gjithë dëshirën për arsimim cilësor”, tha znj. Ismaili.

Po ashtu, e ëma e Andit, znj. Lumnie Bajgora shprehet e entuziazmuar për mundësinë që iu dha të birit të shkollohet në “Mileniumi i Tretë”, duke thënë: “Ka qenë shumë e papritur dhe kënaqësi e veçantë për ne ta pranojmë këtë dhuratë pa asnjë mëdyshje, pra shkollimin e Andit në këtë shkollë, ndaj edhe ai mezi pret të fillojë mësimet aty”. Ajo më tutje tregon se edhe pse kishin dëgjuar për të arriturat e kësaj shkolle dhe mundësitë e zhvillimit maksimal të potencialit të nxënësve nuk e kishte menduar se një ditë Andi do të ishte pjesë e kësaj shkolle. Ajo i falënderohet shkollës për iniciativën duke theksuar faktin se deri më tani kjo shkollë është e vetmja që ka menduar përkrahje për dy djelmoshat që prekën skenën e Oskar-it.

Shkolla “Mileniumi i Tretë’ filloi punën në vitin shkollor 2004/05 me 118 nxënës të regjistruar në klasën e parë dhe të pestë, në një objekt prej 1,000 m2. Fillimisht u licencua si shkollë fillore dhe e mesme e ulët për klasat 1-9, ndërsa në vitin e parë të punës kishte 25 punonjës. Në vitin shkollor 2005/06 filloi nga puna restoranti i Shkollës dhe u ndërtua fusha e sportit. Ndërkaq, një vit më vonë u inaugurua objekti i ri i Shkollës me 2,400 m2. Në vitin shkollor 2009/10 filloi nga puna edhe gjimnazi me dy drejtime: Matematikë-Informatikë dhe Shkenca shoqërore. Në qershor të vitit 2012 Shkolla nxori gjeneratën e parë të maturantëve, dhe katër vjet me radhë nga kjo shkollë dolën shumë nxënës që tashmë tregojnë sukseset e tyre në studime anekënd nëpër universitete në Evropë e SHBA.  Në vitin e dymbëdhjetë të punës së saj shkolla ka rreth 550 nxënës dhe 102 punonjës, si dhe licencë të përhershme të punës nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë. Metodologjitë bashkëkohore të mësimdhënies me qasje hulumtuese, mësimi i bazuar në projekte, mësimi i nivelizuar i dy gjuhëve të huaja, rrjetëzimi dhe partneriteti me shkolla rajonale janë vetëm disa karakteristika që e bëjnë këtë shkollë të jetë e dalluar nga shkollat tjera në vend. Tregues të suksesit të kësaj shkolle janë edhe mësimdhënësit e përzgjedhur të cilët zhvillohen profesionalisht vazhdimisht me ndihmën e Qendrës për Arsimin e Kosovës, si themeluese e kësaj shkolle e cila mëton që ëndrrën e çdo fëmije ta shndërrojë në realitet kur ata të përfundojnë shkollimin aty.