ORARI

E Hënë - E Premte

08:00-16:00

KONTAKT

+38344260606

+38338244258

ADRESA

Rr. "Sokol Sopi", nr. 107

Matiçan, 10000 Prishtinë, Kosovë

e-Kursi i parë i Moodle në gjuhën shqipe publikohet falas për të gjithë mësimdhënësit

e-Kursi i parë i Moodle në gjuhën shqipe publikohet falas për të gjithë mësimdhënësit

9 maj 2022

Shkolla “Mileniumi i Tretë” publikon falas e-Kursin e parë: “Kursi i Moodle” për të gjithë mësimdhënësit që dëshirojnë të mësojnë se si të krijojnë kurse online në platformën Moodle.

Ky e-kurs është në gjuhën shqipe dhe u dedikohet të gjithë mësimdhënësve të cilët dëshirojnë të krijojnë kurse në formatin e-Learning, brenda platformës Moodle.

Autorja e këtij e-kursi, Rrezarta Xhaferi, koordinatore e e-learning në shkollë, thotë se ideja për këtë e-kurs ka ardhur natyrshëm si rrjedhojë e zhvillimit të vazhdueshëm të mësimdhënësve, pas trajnimeve të mbajtura me mësimdhënësit e shkollës “Mileniumi i Tretë”, ku është vlerësuar nevoja e një e-kursi për Moodle, përmes të cilit mësimdhënësit do të pajiseshin me njohuri e shkathtësi rreth krijimit të e-kurseve të tyre në mënyrë të pavarur dhe me qasje të vazhdueshme në të.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës Afrore Lila, bën të ditur se me këtë risi jetësohet ideja e mëhershme që buron nga prioritetet e planit zhvillimor afatmesëm të shkollës e që është krijimi i përmbajtjeve online në gjuhën shqipe. Kjo nismë shërben si model i mësimdhënies inovative në Kosovë e më gjerë, qasje, e cila ka për bazë mësimin e kombinuar: me prezencë fizike dhe në distancë. Po ashtu, është vendosur që publikimi i kursit të jetë falas, në disponueshmëri të secilit mësimdhënës edhe nga jashtë shkolla, në mënyrë që të ndahen praktikat e M3 me të tjerët, me qëllim që t’i kontribuohet Edukimit në Kosovë. Në fund,  znj. Lila thekson që kjo risi i lumturon të gjithë, në rrugën e përmbushjes së misionit të shkollës.

Në këtë e-kurs kanë qasje të gjithë mësimdhënësit e shkollës “Mileniumi i Tretë”, ndërsa tash e tutje, në këtë e-kurs mund të qasen të gjithë mësimdhënësit e interesuar duke i ndjekur këta hapa:  

  1. Së pari të krijohet një llogari në platformën e-Mësimi: https://m3elearning.online/login/signup.php
  2. Në linkun: https://m3elearning.online/enrol/index.php?id=70  klikoni në butonin “Enroll me”.

Në fund, mbetet të theksohet se ky e-kurs është pjesë e projektit e-Mësimi në shkollën “Mileniumi i Tretë”, përmes të cilit projekt parashihet krijimi i infrastrukturës virtuale për mësimin në distancë. Kjo infrastrukturë virtuale planifikohet të bëhet në platformën Moodle dhe të jetë e qasshme për të gjithë nxënësit e shkollës, si formë komplementare e mësimit aktual.