Mëngjesin e sotëm, Shkolla “Mileniumi i Tretë” hapi dyert për të mirëpritur nxënësit në fillimin e vitit të ri shkollor 2021/22. Në pritje të tyre sot kishin dalur mësuesit dhe kujdestarët e klasave, ndërsa mirëseardhje të gjithëve u uroi drejtoresha e shkollës Znj. Afrore Lila. Sot, na u bashkuan edhe shumë nxënës të rinj të cilët i janë gëzuar më së shumti hapjes së shkollave. Nxënësit e klasave 2-12 kanë shënuar sot emrat e tyre të përcjellur me nga një thenie si klasë në tabelat që do të mbesin kujtim i bukur i kësaj dite në shkollë. Ndërsa edhe për klasat e para u bë pritje e veçantë. Në vijim po e ndajmë me ju fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së shkollës dedikuar nxënësve që nga sot filluan klasën e parë:
“Të nderuar prindër,
Të dashur kalamaj të klasës së parë,
Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, e veçanërisht për Yllkat e Fatosat që për herë të parë u drejtohen bankave shkollore dhe fillojnë një kapitull të ri të jetës së tyre, në universin e madh të dijes. Një mirëseardhje shumë e ngrohtë për secilin nga ju.Më në fund, kjo ditë e bukur erdhi. Gumëzhima e zërave tuaj që na mungoi mëngjesin e 1 shtatorit, po na e mbush mëngjesin e sotëm. Jam e sigurt që të gjithë e keni pritur me padurim këtë ditë.Gjithsesi, para se të vazhdoj më tej, kam kënaqësinë të falënderoj praninë e prindërve këtu, të cilët i siguroj për standardin më të mirë të arsimimit dhe zhvillimit personal për fëmijën tuaj. Për më tepër, jam gjithashtu e nderuar që të falënderoj punën e palodhur, durimin dhe këmbënguljen e mësimdhënësve tanë të dashur pa të cilët nuk do të kishim qenë këtu, në Mileniumin e Tretë.Është, me të vërtetë, një kënaqësi e madhe të ju shoh të gjithëve të mbledhur këtu në këtë takim mëngjesi, pas asaj që ndjehet si një vit drite i historikut të kësaj shkolle.Kështu, le ta fillojmë vitin tonë të ri në shkollë me shpresa dhe ëndrra që, pavarësisht se sa të kufizuar mund të jemi, me theks në këtë situatë pandemie do të bëjmë çmos që të arrini ato që ne i quajmë ëndrra e ëndrrat do të ju shpien në suksese.Si shkollë, ne gjithashtu kemi një qëllim: të sigurojmë një arsimim të jashtëzakonshëm për çdo individ këtu. Cilido qoftë roli ynë në shkollë – Udhëheqja – stafi mësimdhënës dhe ndihmës – ne të gjithë bashkë i kontribuojmë arritjes së këtij qëllimi. Për më tepër, rolet tona janë krejtësisht të varura nga njëra tjetra. Pa bashkëpunimin tonë, ne nuk kemi fusha cilësore për të luajtur. Pa stafin tonë të kuzhinës, ne kemi fëmijë dhe të rritur të uritur!Nga sot, ju nuk do të jeni vetëm asnjë moment në këtë rrugëtim, prandaj kërkoni ndihmë nga mësueset, prindërit dhe të tjerët kur keni nevojë, sepse ata janë të interesuar që ju të rriteni të shëndetshëm dhe të fitoni sa më shumë dije të reja. Nga sot secila/secili nga ju do ta keni një shoqe apo shok të klasës së gjashtë e shtatë si partner të dijes e bashkëpunimit që do të ju përkrahë gjithnjë dhe të cilit/ cilës mund t’i drejtoheni për çdo ide por edhe shqetësim që mund të keni.Fëmijë të dashur, duajeni librin dhe çdo shkronjë brenda tij, sepse thesaret e dijes janë sikurse diamantet. Duajini shoqet dhe shokët e klasës, sepse ata janë bashkudhëtarët tuaj të dijes. Të nderuar prindër e ju fëmijë të dashur, në emër të Udhëheqjes dhe stafit të shkollës, ju falënderojmë që keni zgjedhur të bëheni pjesë e shkollës dhe të besoni në punën dhe angazhimin tonë. Dhe përsëri, mirë se erdhët në Mileniumin e Tretë.Ju dëshirojmë fillim të mbarë dhe shëndet e shumë suksese!