Në kuadër të aktiviteteve jashtëmësimore, më 3 dhjetor, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Personave me nevoja të veçanta dhe më 10 dhjetor, për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut u bë një lidhje e natyrshme në lëndët: Edukatë qytetare, Art Figurativ, Muzikë dhe Gjuhë Shqipe.
Për realizimin sa më të mirë dhe qëllimin e këtyre aktiviteteve, nxënësit me përkrahjen e arsimtarëve lëndorë nderuan këto ditë, fillimisht me hapjen e ekspozitës.
Ekspozita me punimet e nxënësve i kushtohej personave me nevoja të veçanta dhe kishte për qëllim bamirësinë e të qenët afër me këta persona. Nxënësit vazhduan me aktivitete bashkëpjesëmarrëse me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, të cilën e përkrahu edhe Ambasada Amerikane me seli në Prishtinë.
Grupi i dramaturgëve të ri, për nder të kësaj dite, prezantuan dramën e shkurtër Edhe Ne jemi si Ju, që pasqyronte paragjykimet e njerëzve për personat me aftësi të kufizuar dhe rolin e tyre në shoqëri, ndërsa vajzat dhe djemtë e grupit muzikor kënduan këngë në prani të personave me aftësi të kufizuar për t’i nderuar dhe kënaqur ata. Edhe Shoqata e të Verbërve të Kosovës shfaqi falënderim për bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë.