Thursday, 22 August, 2019

DISKRIMINIMI GJUHËSOR NË SHKOLLË

Në kuadër të aktiviteteve të Departamentit të Shkencave Sociale, përveç tjerash në mënyrë sistematike nga mësimdhënësit e saj bëhen prezantime të temave që përkojnë me metodologjitë e reja të mësimdhënies, përvojat dhe hulumtimet e tyre profesionale. Kësaj radhe para anëtarëve të këtij departamenti, mësimdhënësja e Gjuhës shqipe znj. Violeta Pllana Elezi prezantoi pjesë nga studimi i saj kërkimor “Diskriminimi gjuhësor në tekste shkollore”.

Tema  kishte për qëllim që të identifikojë format gjuhësore të diskriminimit me fokus tekstet mësimore shkollore, konkretisht librat e gjuhës shqipe të klasave të ciklit të ulët të mesëm.  Disa nga çështjet që shtroi në diskutim para departamentit të saj ishin: përçimi i mesazheve diskriminuese tek nxënësit përmes përmbajtjeve të teksteve të ndryshme, veçmas teksti “Gjuha shqipe 6”, ndikimi që ka dominimi i gjinisë mashkullore në tekstet në fjalë, madje duke  pëçmuar herë – herë gjininë femërore, ose duke e anashkaluar fare, pastaj duke zbërthyer në detaje këtë relacion edhe brenda kurrikulës së re.

Kështu, Elezaj erdhi në përfundim se kurrikula në të shumtën e rasteve nuk i respekton standardet e përfaqësimit të barabartë gjinor të shprehur gjuhësisht. Sipas saj, edhe në rastet kur tentohet të respektohet ky standard, vërehet jo konsistencë përdorimi.

Përfundimisht, metodologjia e kërkimit, shembujt dhe rezultatet që i ofroi mësimdhënësja Violeta Pllana Elezi ishin tregues të qartë të përkushtimit të saj profesional për ngritjen dhe nxitjen  e vetëdijes për këtë çështje e cila përherë ka qenë e pranishme në shoqërinë tonë.