Monday, 19 November, 2018

Bashkë me 21 mars, në Ditën Botërore të fëmijëve të prekur me Sindrom Down

Në ditën e parë të pranverës, me lajmëtarët e saj zogjtë, lulet, e freskinë dhe në sheshin e bukur të Prishtinës nxënësit e klasave të pesta të shkollës Mileniumi i Tretë ishin bashkë me fëmijët e prekur me Sindrom Down, të cilët shënuan aktivitetin e radhës të projektit Kosovision.

Të buzëqeshur, me njërën dorë të shtrënguar, me dorën tjetër balonën shumëngjyrëshe dhe me simbolikë për qëllimin dhe kuptimin e jetës përçuan porosi për qytetarët  duke defiluar në sheshin Nënë Tereza me moton:  Më përkrah sot, që nesër të jem i pavarur.

Shënimi i kësaj dite vazhdoi në Teatrin Kombëtar me programin e organizuar për këtë ditë. Nxënësit e shkollës sonë ishin pjesë e rëndësishme e  dokumentarit të realizuar dhe shfaqur nga Qendra e Fëmijëve me Sindrom Down. Përveç kësaj, një nxënës i shkollës sonë recitoi edhe një poezi në gjuhën angleze me porosi domethënëse  Different.

Në hollin e Teatrit Kombëtar u ekspozuan edhe pikturat e punuara nga duart e nxënësve tanë  dhe bashkëmoshatarëve me SD. Paratë e fituara nga pikturat e shitura iu dhuruan simbolikisht Qendrës së Fëmijëve me Sindrom Down.

Nxënësit u kujdesën edhe për zbukurimin e sallës dhe dhuruan balona për të gjithë fëmijët pjesëmarrës.

Një ditë e shënuar, një mesazh i dërguar për të përkrahur njëri-tjetrin sa herë kemi nevojë!

1-IMG_0324 3-IMG_0326

1-IMG_0328