Pothuajse një vit shkollor kaloi për më të vegjlit e shkollës duke mësuar shkronjat e alfabetit. Ata, përfundimisht i mësuan të gjitha shkronjat e gjuhës së bukur shqipe. Tashmë shkronjat e mësuara, të dorës e të shtypit, i përdorin për të lexuar e shkruar me kënaqësi. Për të treguar rëndësinë e përfundimit të shkronjave dhe fillimit të një rrugëtimi të ri, u shënjua me festën e organizuar, Festën e Abetares.
Festa e Abetares u mbajt me datë 25.5.2015 në teatrin “Dodona”, me një program të realizuar nga departamenti i klasave të para. Nxënësit shfaqën pika të ndryshme para prindërve, gjyshërve dhe mysafirëve të tjerë, që kishin ardhur që t’i shihnin dhe uronin në ditën e tyre të veçantë. Pikat që nxënësit shfaqën para të pranishmëve përfshinin poezi për shkronjat dhe poezi të tjera, këngë në gjuhën shqipe dhe angleze, valle popullore si dhe dy pjesë teatrale me porosi të caktuara për fëmijët. Të pranishmit në këtë festë i përshëndeti edhe drejtoresha e shkollës, krenare për punën dhe të arriturat e gjeneratës se dekadës së re të shkollës.