Shkolla “Mileniumi i Tretë’’ filloi punën në vitin shkollor 2004/05 me 118 nxënës të regjistruar në klasën e parë dhe të pestë, në një objekt prej 1,000 m2. Fillimisht u licencua si shkollë fillore dhe e mesme e ulët për klasat 1-9, ndërsa në vitin e parë të punës kishte 25 punonjës. Në vitin shkollor 2005/06 filloi nga puna restoranti i Shkollës dhe u ndërtua fusha e sportit. Ndërkaq, një vit më vonë u inaugurua objekti i ri i Shkollës me 2,400 m2. Në vitin shkollor 2009/10 filloi nga puna edhe gjimnazi me dy drejtime: Matematikë-Informatikë dhe Shkenca shoqërore. Me ndryshimin e kurrikulës, në vitin shkollor 2017/18 drejtimi Matematikë – Informatikë u zëvendësua me drejtimin Shkenca natyrore, ndërsa drejtimi Shkenca shoqërore u zëvendësua me drejtimin Shoqëror-Gjuhësor. Në qershor të vitit 2012 Shkolla nxori gjeneratën e parë të maturantëve.
Shkolla është themeluar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), organizatë joqeveritare dhe jopërfituese që vepron në fushën e arsimit nga vitit 2000. Shkolla nuk është pronë private, por pjesë e veprimtarisë arsimore të KEC-it. Çdo fitim i mbetur nga veprimtaria e Shkollës përdoret për financimin e programeve dhe projekteve arsimore të KEC-it, duke u rikthyer plotësisht në shërbim të interesit publik.

