Saturday, 31 October, 2020

M3 – eLearning

Si ta përdorim platformën?

Përshëndetje të dashur Nxënës,

Shpresojmë që jeni mirë nga shëndeti të gjithë.

Mirë se erdhët në mësimin në distancë të shkollës “Mileniumi i Tretë”, të cilin po përpiqemi të jua ofrojmë, meqë nuk kemi mundësi të jemi bashkë në shkollë. E dimë që mund të ju mungojë shkolla, shoqëria e çastet që i jetoni tok në ambientet e shkollës, prandaj që të mos mërziteni në shtëpi Shkolla ju ofron mësime të reja me lojëra, sfida e aventura plot. Shumë nga ne, mbase kemi pasur edhe nevojë që të jemi pranë familjes, ndaj krahas mësimit, shijojini këto momente me më të dashurit tuaj!

Ashtu siç ju kemi informuar paraprakisht, mësimi online organizohet në 6 fusha/ kategori për çdo ditë të javës nga një. Të gjitha njësitë mësimore janë të ndara në regjistra (tabs) sipas javëve dhe klasëve.

  • Gjuhë shqipe & Komunikim (E hënë)
  • Matematikë & Informatikë ( E martë)
  • Gjuhë angleze & gjuhë gjermane (E mërkurë)
  • Shkenca natyrore (E enjte)
  • Shkenca shoqërore (E premte)
  • Shkathtësitë (Fundjavë)

Në regjistrin e parë ndodhet Java 1 (16 mars 2020) dhe për secilën klasë ndodhen njësitë mësimore. Shembull: Për klasën e parë (K1), ditën e hënë, që ta hapni njësinë mësimore duhet të klikoni në linkun Klasa 1 – Gjuhë shqipe dhe komunikim; për klasë e pestë (K5), ditën e martë duhet të klikoni në linkun Klasa 5 – Matematikë & Informatikë, e kështu me radhë.

Mësimet, do t’i gjeni të formave të ndryshme, për mosha e nivele të ndryshme në: Google forms, Power Point prezantime, Video e audio incizime, etj. ndërsa detyrat do të duhet t’i dorëzoni në mënyra të ndryshme: me e-mail, me viber, në Classroom, në Classtime ose duke klikuar “submit” pas përfundimit të kuizeve në Google forms.

Vërejtje: Secila detyrë përmban udhëzime përgjatë prezantimeve, në fund të teksteve e gjithsesi në fund të mësimit e ka udhëzimin se si duhet ta dorëzoni te mësuesi/ ja apo arsimtari/ja. Ju informojmë se pavarësisht që një ditë i dedikohet një lënde/ fushe, detyrën/at mund t’i dorëzoni deri të shtunën e kësaj jave (21 mars), të cilat do t’i kontrollojnë dhe vlerësojnë mësimdhënësit tuaj, dhe do të ju japin informatën kthyese.

Me keqardhje, na duhet të ju themi ju nxënës tjerë, jashtë shkollës sonë, që e vizitoni faqen tonë, se për shkaqe logjistike nuk mund të ju përkrahim në vlerësim eventual të detyrave që do t’i bënit, por ju inkurajojmë të përfitoni nga ky kontribut i vogël derisa MASHT të fillojë ofrimin e mësimit alternativ për të gjithë.

Shfrytëzojeni mundësinë që të fitoni dije e shkathtësi të reja, dhe të kënaqeni!

Urojmë që kjo gjendje të përfundojë shpejt, të ritakohemi të lumtur, me shëndet të plotë!

Ju duam shumë,
Drejtoresha & Stafi i M3