Sot, drejtoresha e shkollës, Afrore Lila realizoi për të gjithë mësimdhënësit e shkollës, trajnimin online me titull “Vlerësimi i nxënësve gjatë mësimit në distancë”. Është ky edhe një hap më tutje në kuadër të risive që aplikon shkolla “Mileniumi i Tretë” si promotore e zhvillimit të vazhdueshëm profesional të stafit, madje edhe tash, në kohë pandemie. Vlerësimi i nxënësve, si një element kyç për arritjen e rezultateve të të nxënit dhe përparimin e mëtutjeshëm të nxënësve duhet të bëhet sipas kritere të paracaktuara e të qarta, dhe i përcjellë nga informata kthyese cilësore me rekomandime për përmirësim. Koncentrimi i mësimdhënies duhet të jetë në fushat kryesore të të nxënit, përmbajtjet të përqendrohen së pari në mirëqenien emocionale të nxënësve duke i motivuar ata që të jenë aktivë e të punojnë të pavarur, në një rreth besueshmërie ku secili ka rolin e vet: mësimdhënësi, nxënësi e prindi. Kombinimi i mësimdhënies që po aplikohet nga shkolla jonë përmes përgatitjes cilësore të mësimeve online, takimeve virtuale të çdo-ditshme sipas fushave lëndore, dhe aplikacionet Google forms e Classroom të cilat po përdoren në forma të ndryshme për detyra na japin sinjal që jemi në rrugë të mbarë të arritjes sa më të mirë të rezultateve në punë, janë porosi të shkëputura nga prezantimi i drejtoreshës para mësimdhënësve.