PANAIRI I HAPUR I LEXIMIT
Sot, më 8 shtator, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Shkrim-Leximit u realizua Panairi i Hapur i Leximi, një aktivitet që organizohet për herë të parë jo vetëm në shkollën tonë, por në tërë Kosovën. Të gjithë nxënësit e shkollës, nga klasa I-XII u angazhuan në aktivitetin e leximit të librit, të komentimit të tij, të shkrimit e të vizatimit. Mjedise të hapura para shkollës sonë ishin të mbushura me nxënës, të cilët me shumë kënaqësi prezantonin e sugjeronin tituj librash të lexuar, lexonin në heshtje tituj të rinj, apo vizatonin, komentonin, nxirrnin mësimet nga to e gjithashtu edhe shkruanin.
Panairi i Hapur i Leximit u pëlqye mjaft shumë nga nxënësit tanë. Sigurisht se këtë e kemi pritur, pasi në shkollë kemi nxënës shumë të pasionuar për librin. Në orët e analizës së veprës letrare gjatë procesit mësimor shpaloset dashuria për librin, rritet çdo ditë e më shumë kjo dashuri, si e vetmja rrugë e suksesit të garantuar! Mirëpo sot u dha një mesazh i fuqishëm, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë të njëjtë: “Nëse ka ndonjë libër që do ta lexosh, por nuk është shkruar akoma, atëherë duhet ta shkruash ti”.
Panairi i Hapur i Leximit në shkollën “Mileniumi i Tretë” do të jetë tradicional.