Me zhvillimin e teknologjisë dhe trendëve për zhvillimin dhe praktikimin e mësimit elektronik nëpër vendet e zhvilluara edhe shkolla jonë është në vazhdën e përdorimit dhe zbatimit të vazhdueshëm të risive. Kësaj here, ne pritëm përfaqësues të shtëpisë botuese Albas nga Tirana, me përfaqësi edhe në Prishtinë. Njohës dhe ekspertë të metodologjive të mësimdhënies nga shtëpia botuese në fjalë, prezantuan para nxënësve dhe mësimdhënësve udhëzimet për qasje në librat mësimorë digjitalë për shkollën fillore të ulët, të mesme dhe të mesme të lartë. Përmes regjistrimit në faqen e portalit shkollor të shtëpisë botuese Albas, mësimdhënësit dhe nxënësit do të kenë mundësi qasjeje në këta libra digjitalë, të cilët ofrojnë mundësi më të mëdha të punës praktike dhe interkomunikimit më të mirë midis mësimdhënësve dhe nxënësve. Këta libra janë të pasur me materiale multimediale dhe e lehtësojnë edhe më shumë punën praktike në shkollën tonë.