Për nxënësit maturantë të gjeneratës së katërt dita e graduimit ishte një ditë e veçantë, që do të mbetet gjatë në memoaret e jetës së tyre. Kështu e thanë edhe vetë ata pas festës së organizuar në ambientin e Hotelit Emerald.
Prindërit dhe familjarët e maturantëve u falën uratën e jetës. Por, jo vetëm ata. Ishin edhe mysafirë të ftuar, në mesin e të cilëve edhe rektori i Universitetit te Prishtinës Hasan Prishtina, z. Ramadan Zejnullahu, i cili me fjalimin motivues u uroi suksese dhe i këshilloi maturantët për orientim në karrierë.
Në këtë ceremoni madhështore, me programin e pasur artistik, secili maturant u nderua me pllakëzën e arritjes dhe mori mirënjohje për të arriturat në shkollë. Certifikatat për arritje i dhuruan drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës znj, Arbërie Nagavci si dhe prindërit, z. Florent Boshnjaku dhe znj. Rudina Bërdyna.
Përveç fjalimit domethënës dhe urues, drejtoresha e shkollës znj. Afrore Lila u kërkoi maturantëve të bënin hapin e fundit, të kthimit të tufëzës së kapelës dhe numërimit së bashku nga 10 në 1, për një fillim të ri dhe vazhdim të mbarë.
Pati gëzime e përqafime. Maturantët uruan njëri-tjetrin ashtu siç uruan prindërit, familjarët, miqtë dhe mësimdhënësit për jetësimin e ëndrrave të tyre.