Saturday, 28 March, 2020

Njoftim – (M3 – eLearning)

Të dashur Nxënës & Prindër të nderuar,

Ju njoftojmë se që nga e hëna shkolla “Mileniumi i Tretë” fillon me pilotimin e mësimit online dy-javor, në mënyrë që nxënësit tanë të jenë të angazhuar në shtëpi gjatë këtij pushimi të detyrueshëm.
Meqenëse është hera e parë që po provojmë diçka të tillë, ne jemi të vetëdijshëm për mangësitë/ lëshimet eventuale që mund të shpërfaqen në proces, prandaj besojmë shumë në mirëkuptimin e juaj. Mendojmë se në këtë situatë të jashtëzakonshme janë më të rëndësishme përpjekja dhe përkushtimi për vazhdimësinë e procesit të të nxënit, aq më tepër tash kur nxënësit detyrohen të rrinë brenda në shtëpi, më gjatë.
Më poshtë jepen të dhëna për planifikimin dhe mënyrën e realizimit të M3 e-Learning:
Nga e hëna, më 16 mars, në uebfaqen e shkollës: www.mileniumi3.net do të shtohet një tab (ndërfaqe) me emërtimin: M3 e-Learning, në vegëzën:  https://mileniumi3.net/?page_id=11400 , brenda së cilës do të jenë mësimet për klasat përkatëse (0-12) në folderë sipas datave e ditëve të javës. Këto mësime do të jenë në përputhje me planin javor/dyjavor (brenda-kurrikular) në funksion të rezultateve të të nxënit. Mësimet do të jenë të thjeshtuara, dhe lehtë të zbatueshme në kushte të shtëpisë.
Mësimi do të zhvillohet sipas 6 fushave/ kategorive të modifikuara, sipas klasëve, për çdo ditë të ndarë të javës, në folderët gjegjës, sikur kategoritë e mëposhtme:
  • Gjuhë shqipe & Komunikim (E hënë)
  • Matematikë & Informatikë ( E martë)
  • Gjuhë angleze & gjuhë gjermane (E mërkurë)
  • Shkenca natyrore (E enjte)
  • Shkenca shoqërore (E premte)
  • Shkathtësitë (Fundjavë)
Kur e hapni uebfaqen e shkollës, dhe klikoni në “tab-in” (ndërfaqen) M3 e-Learning do të gjeni udhëzimet e duhura për përdorim.
Përmbajtja e mësimit sipas ditës dhe fushës/ kategorisë do të jetë një temë mësimore e shoqëruar me detyra si mësimi me projekte (MBP), formula, asociacione, kuize, krijime, analiza, video, hulumtime, etj. Këto të gjitha do të jenë të kombinuara duke u realizuar sipas moshës/ nivelit përmes:
  • Google Classroom
  • Google Forms
  • Google Drive
  • Classtime (platforma online për vlerësim)
  • Platforma të tjera që përdoren nga mësimdhënësit në lëndë e nivele të ndryshme, të ekspozuara në file-t përkatëse përmes linqeve.
Nxënës e familje të dashura, shpresojmë në rikthimin e normalitetit sa më shpejt duke Ju dëshiruar shëndet, qetësi e punë të mbarë!
Me respekt,
Afrore Lila,
Drejtoreshë e shkollës