Dita e Forenzikës në STEAM: Nxënësit e klasave të 10-ta në rolin e hetuesve Në kuadër të lëndës me zgjedhje STEAM dhe me rastin e Ditës së Forenzikës, 20 shtator, nxënësit e klasave të 10-ta realizuan një projekt hulumtues dhe praktik, të ndërtuar rreth një rasti të simuluar për gjetjen e një pajisjeje të humbur. Të organizuar në grupe, nxënësit morën rolin e hetuesve dhe u përballën me një seri provash dhe informacioni që duhej të analizonin, krahasonin dhe ndërlidhnin për të arritur në një përfundim të argumentuar. Gjatë aktivitetit, me mbështetjen e mësimdhënësve të STEAM-it, Matematikës dhe TIK-ut, si dhe të Psikologes së shkollës, nxënësit punuan me lloje të ndryshme të provave, duke përfshirë gjurmë gishtash, mostra të shkrimit, analiza të materialeve, gjurmë këpucësh, të dhëna digjitale, dëshmi të dëshmitarëve dhe pamje nga kamerat e sigurisë. Një pjesë e veçantë e aktivitetit iu kushtua edhe mënyrës se si perceptimi dhe kujtesa njerëzore mund të ndikojnë në dëshminë e një dëshmitari, duke u dhënë nxënësve mundësinë të kuptojnë se një hetim i mirë nuk mbështetet vetëm në një provë, por në analizimin kritik dhe krahasimin e shumë burimeve të informacionit. Pas një jave hulumtimi dhe pune në grup, nxënësit prezantuan përfundimet e tyre, duke shpjeguar se si i kishin analizuar provat, cilat lidhje kishin identifikuar dhe si kishin arritur në përfundimin përfundimtar. Përmes këtij projekti, nxënësit patën mundësi të zhvillojnë në mënyrë praktike mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve, analizën e të dhënave, bashkëpunimin dhe argumentimin mbi bazën e provave, duke ndërthurur njohuritë nga disa fusha të ndryshme në një situatë të vetme hulumtuese. STEAM-i në praktikë: Vëzhgo, Analizo, Lidh provat dhe Argumento përfundimin
Më shumë →




