Thursday, 22 August, 2019

FESTA E ABETARES

Ishte ditë e bukur shtatori kur filluam një rrugëtim të bukur.

Ditët me diell të shtatorit nuk ngrohnin zemrat tona mjaftueshëm sa emocionet e fillimit të ri.

Disa qanim e disa qeshnim e kjo si duket do të mbetet në mendjen tonë si mozaiku më i bukur i udhëtimit shkollor.

E çuditshme, apo jo?!

Kush do ta mendonte që na duhet më pak se një vit që të zgjerojmë rrethin shoqëror, t’ia dalim 8 orë larg prindërve, t’i njohim të gjitha shkronjat e bukura të shqipes, të njohim numrat e të veprojmë me ta e shumëçka tjetër.

Së bashku me mësueset tona e përballuam çdo “vështirësi”, sepse mbi të gjitha kishim DËSHIRËN dhe VULLNETIN për triumf.

Mirësitë që na solli ky vit shkollor s’kishim si t’i festonim ndryshe veçse me një festë të vogël mes miqve e familjarëve.

Ne u veshëm me ngjyrat më të bukura për të nderuar përkushtimin e familjarëve tanë, shkollën që e vijojmë e mbi të gjitha Abetaren e cila s’rreshti asnjëherë për të na e lehtësuar mësimin e gjuhës sonë të bukur.

Tani që dimë të shkruajmë e të lexojmë, ne mund të ju premtojmë që vargjet për Ju – me të dashurit tanë, sa vijnë e do të shtohen, sa vijnë e do të perfeksionohen e festa të përbashkëta paçim shumë.

Gëzuar dhe FALEMINDERIT!