Thursday, 21 March, 2019

JA KUSH JANË KAMPIONËT E DIJES

Të 12 finalistët tanë u përballën sot në finalen e madhe të garës së dijes dhe luftuan deri në pyetjet e fundit shtesë se cili prej tyre të kapte vendin e parë. Në një sfidë të hapur,  të 12-it, tre për secilën gjeneratë (VI-IX) nuk lëshonin pe, pavarësisht se emocionet e garës e të festës i kishin kapluar. Megjithëkëtë, sipas formatit, vetëm 4 duhej të shpalleshin kampionë të dijes emrat e të cilëve i kemi listuar më poshtë. Ngjarja e ditës së sotme nuk ishte thjeshtë një finale e dijes në të gjitha lëndët shkollore, ishte edhe festë, ishte edhe triumf, ishte edhe hare. Pra, finalja e Kuizit të Diturisë u realizua pikërisht për nder të 17 Shkurtit, Pavarësisë së Kosovës. E gjithë përgatitja për këtë organizim ka filluar të bëhet para dy javësh në mënyrë që gjithçka të jetë në rregull e transparente. Kujtojmë se faza e parë e Kuizit është mbajtur në formë elektronike të hënën e kësaj jave. Falënderojmë një grup nxënësish të klasës XII nga kryesia e shkollës që në mënyrë vullnetare kontribuoi rreth mbajtjes së Finales.

Fituesit i urojmë për suksesin e arritur!

FITUESIT

  1. Tiara Mustafa – klasa VI
  2. Dita Haziri – klasa VII
  3. Anisa Kurshumliu – klasa VIII
  4. Rreze Vranica – klasa IX

ARTI I FJALËS DHE I INTERPRETIMIT

Muaji shkurt për ne nuk është më thjeshtë muaji më i shkurtër i vitit. Shkurti është shndërruar në muajin gjatë të cilit festohet e thuhet e vërteta. E vërteta e së djeshmes, e së sotmes dhe ajo e së ardhmes. Prandaj në këtë vazhdë sot u fol për Pavarësinë e Kosovës, u interpretuan poezi, u luajtën pika muzikore. Këtë kënaqësi na e dhanë nxënësit, të cilët me përgjigjet e sakta të kumtuara gjatë Kuizit, me interpretimin e poezive, me tingujt që nxorën duke luajtur  në piano a në violinë, bënë që e gjithë salla të kumbojë nga duartrokitjet e sinqerta të bashkëmoshatarëve. Ndërsa mësimdhënësve, zemra mal!

Me këtë rast Mileniumi i Tretë Ju uron të gjithëve Festën e Pavarësisë së Kosovës!