Thursday, 21 February, 2019

11 DHJETORI

ORA E GJUHËS SHQIPE

IMAGJINATË E DREJTUAR

SHKRUAN: VIONA REÇICA IX

11 DHJETORI

Mjegull. Askush s’pipëtin. Kot përpiqem të shoh dritaret, qenkan mbuluar me një perde të zezë.  Provoj të çohem, por këmbët s’më lëvizin dot. As duart nuk po i ndiej më.

Qëkur ti shkove, shumica e netëve më shkojnë kështu.  Nuk  ndiej asgjë, as trupin, as lumturinë, as mërzinë… Asgjë.  Nuk ndiej më duart e tua të stërlodhura teksa mbajnë të mijat, nuk dëgjoj më zërin tënd, si një jehonë të përhershme në veshët e mi. Kam filluar të të harroj. Mënyrën sesi buzëqeshje, sytë e tu të dhembshur, fjalët e tua ngushëlluese. Kjo është pjesa më e keqe. Se një herë e një kohë ishe një baba, një gjysh, e tani je vetëm një kujtim i largët, një dhomë bosh e mbuluar me perde të zeza, një lule e vyshkur mbi mermerin e ftohtë.

Qëkur ti shkove, shumica e netëve më shkojnë kështu. Të turbullta, sikur të kem një mjegull të përhershme përpara, dhe sikur ti je i vetmi që mund të ma drejtojë rrugën.  Ku je?