Monday, 17 December, 2018

KULLAT SHQIPTARE, PJESË E TRASHËGIMISË KULTURORE

Shtëpia për shqiptarët ka qenë e shenjtë, prandaj asaj gjithmonë i është kushtuar rëndësi. Kullat janë një nga tipet e shtëpive shqiptare të cilat kanë një shtrirje shumë të madhe gjeografike, duke qenë se kanë qenë objekte banimi të ndërtuara nga të gjitha shtresat e popullsisë. Kullat, përveçse objekte banimi, kanë pasur edhe rol mbrojtës. Ato janë karakterizuar nga bujaria dhe mikpritja e popullit tonë. Padyshim mikpritja shqiptare si vlerë unike e popullit tonë nuk mund të kuptohet pa kullën dhe pa shprehjen: “Bukë e kripë e zemër“.

Këto vlera të Kullave shqiptare ngjallën kërshërinë e nxënësve tanë, të cilët me shumë zell dhe dashuri për të njohur trashëgiminë kulturore, hulumtuan dhe punuan një maket mjaft të bukur të kullave tipike të ndërtuara në trojet tona. Duhet theksuar se ky grup i nxënësve, ndonëse për herë të parë, çdo gjë të përfshirë brenda punimit e bënë me duart e tyre.

Ky maket bëhet pjesë jo vetëm e punimeve të tjera të mrekullueshme të punuara prej nxënësve, por edhe e kujtesës historike të tyre që do të përcillet dhe do të ruhet me fanatizëm brez pas brezi.