Sunday, 20 May, 2018

ANDI BAJGORA, NË BERLINALE

Aktori i ri, Andi Bajgora, nxënës i klasës së dhjetë në shkollën jopublike Mileniumi i Tretë,  do të marrë pjesë në Berlinale – Festivalin e Filmit në Berlin, së bashku me një grup aktorësh, me të cilët janë pjesë e filmit Kiem Holijanda, i cili do të shfaqet në kuadër të programit Generation 14plus. Kjo është hera e  dytë që Andi merr pjesë në një aktivitet kinematografik të nivelit botëror. Andi Bajgora, gjithashtu ka qenë një prej aktorëve kryesorë në filmin Shok, i cili u nominua për Oscars. Regjisore e filmit  më të ri, ku luan Andi Bajgora, është Sarah Veltmeyer nga Holanda, e cila me filmin e saj arriti të jetë në mesin e gjashtëmbëdhjetë filmave të kategorisë së metrazhit të shkurtër. Pra, Kiem Holijanda është film 14-të minutësh, i cili shpalon historinë e Floristit, djalë që  ëndërron të udhëtojë për në Holandë. Në një bashkëbisedim me nxënësin tonë, Andin, ai rrëfeu çdo gjë për  festivalin në fjalë: përmbajtjen e filmit, rolin dhe sfidat brenda një karakteri shumë më ndryshe se ai i filmit Shok.

BERLINALJA

“Berlinale është festival i filmit,  pothuajse me peshën e njëjtë si Oscars, i cili fillon më 15 shkurt dhe zgjatë deri më  25 të po këtij muaj.  Filmi ynë do të shfaqet më 16 shkurt, një ditë para ditës së madhe të Pavarësisë së Kosovës. Të them të drejtën, që nga fillimi i realizimit të këtij filmi, kemi synuar festivalet e mëdha,  gjë që na shtyu të punojmë fort dhe të arrijmë atë që kemi pasur qëllim”, shprehet i motivuar Bajgora.

FILMI

 Sipas Bajgores, “Filmi Kiem Holijanda është një zgjedhje e mirë si ide. Kur e kam lexuar për herë të parë skenarin, kam thënë: Ja edhe një rol, ku  do të godas n’pikë! Ngjarja zhvillohet në një fshat të vogël nga i cili shumica e njerëzve  kishin migruar.  Fshati duket i shkretë, pastaj duhet dikush ta ngjallë atë atmosferë, mbase regjisori (…).  Po ashtu, ajo që më ka bërë përshtypje është fakti se, ky film, tregon një lidhje të veçantë mes dy vëllezërve dhe dëshirat e tyre të ndryshme. Nganjëherë, kur jemi te dëshirat, duket se shumë prej nesh e gjejnë veten aty. Ky relacionin në mes vëllezërve bëhet edhe më atraktiv edhe për faktin që, në të njëjtin film luaj me vëllanë tim, Floristin. Përveç në shtëpi, arti, filmi ta krijojnë një ndjesi të veçantë, e që herë-herë të nxisin për të menduar më mirë se si “ndryshojnë” ato raporte nga shtëpia në film?! Kjo do një shpjegim të veçantë, e që për mua, tash për tash, është i vështirë”,  thotë Bajgora.

ROLI

I pyetur për rolin e tij në Kiem Holijanda, Bajgora shpjegon: “Unë kam rolin e  një djali të vogël, i cili shet qumësht për të ndihmuar familjen, por në të njëjtën kohë ruan para për të realizuar  ëndrrën e tij,  që ta blejë një telefon. Ky është një karakter i ri, për dallim nga ai, në filmin Shok, që në një mënyrë të njofton me aftësitë tua për t’i bartur gjërat mbi supe, qoftë edhe duke luajtur rolin e tjetrit. Mbi të gjitha, ky rol më ka shti që të mendoj gjatë jo vetëm për artin, por edhe për situatat që kalojnë bashkëmoshatarët e mi.  Edhe kjo kërkon një sfidë; sfidohesh si njeri dhe si aktor. Epo, asgjë nuk është e lehtë, e sidomos kur gjërat që i bën me dashuri të madhe mund  të jenë edhe të vështira, por me ndihmën e vëllait tim, Floristit, kam arritur të kaloj edhe vështirësitë më të mëdha gjatë interpretimit të rolit”, përfundon ai.

20180205_120619 20180205_120512