Monday, 17 December, 2018

Përfaqësues të shkollës sonë marrin pjesë në takimin e parë të aces (Academy of Central European Schools) në Sarajevë

ACE1

Në takimin e parë të ACES për projektet e vitit 2015/16, të mbajtur në Sarajevë, këtë vit përfaqësues të shkollës tonë morën pjesë në një rol tjetër nga ai i zakonshmi.
Në këtë takim morën pjesë 100 shkolla (me nga një mësimdhënës dhe një nxënës përfaqësues) nga 15 shtetet partnere të ACES, që përfshijnë 42 projektet shkollore që kanë fituar të drejtën të marrin pjesë në ACES për vitin shkollor 2015/16, si dhe mysafirë të tjerë duke përfshirë akterët dhe partnerët e ACES, ekspertë dhe trajnerë si dhe ekipi i projektit.

Ky takim organizohet me qëllim që pjesëmarrësit të njoftohen me ‘botën e aces’, të njohin më mirë partnerët e projektit, të përforcohet puna e ekipeve punuese dhe të planifikohet implementimi i projektit. Po ashtu, takimi ofron mundësi për pjesëmarrësit që të kuptojnë më mirë temën e vitit, e cila për këtë vit është “Solidariteti”, si dhe të mësojnë qasje dhe metodologji të reja përmes punëtorive të organizuar.

Takimi i cili zgjat katër ditë përfshin aktivitete nga më të ndryshmet dhe udhëhiqet nga tre fasilitues. Ndërkaq organizimi dhe planifikimi për këtë takim bëhet nga ekipe të ndryshme të cilat kanë detyrat e ndara.

Me qëllim që ACES të jetë sa më afër shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve e të dëgjojë opinionet dhe zërin e mësimdhënësve e nxënësve pjesëmarrës, përveç ekipeve të cilat merren me organizimin e ngjarjeve të ACES, si pjesë përbërëse të saj ka edhe dy ekipe: ekipin e anëtarëve të këshillit (i cili përbëhet nga 4 mësimdhënës dhe 4 nxënës nga shkollat partnere të ACES), dhe ekipin e nxënësve ndihmës. Aplikimi për këto role është i hapur për të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit nga shkollat partnere të Akademisë së Shkollave të Evropës Qendrore..

Mësimdhënësja Krenare Lleshi ishte pjesëmarrëse në ekipin e anëtarëve të këshillit dhe nxënësja Adea Loxha ishte pjesë e ekipit të nxënësve ndihmës, nga shkolla jonë.

Katër anëtarë të këshillit (dy mësimdhënës dhe dy nxënës) marrin pjesë në secilin takim të përbashkët të ACES. Roli i anëtarëve të këshillit gjatë takimeve të ACES është që të përkrahë pjesëmarrësit, të bisedojë me ta dhe të përcjellë opinionet dhe rekomandimet e tyre te ekipi menaxhues i ACES.

ACE2

Tre nxënës ndihmës marrin pjesë në çdo ngjarje të organizuar të aces (Takimi i parë dhe Akademia).

Roli i nxënësve ndihmës është që t’u ndihmojnë fasilituesve të programit në realizimin e aktiviteteve. Nxënësit ndihmës marrin pjesë edhe në takimet për planifikim dhe organizim të aktiviteteve, si dhe mbështesin pjesëmarrësit në takim.

ACE3

 

Për të lexuar më shumë rreth aces:

http://www.aces.or.at/about-aces

https://www.facebook.com/media/set/?set=a.10153770883260555.1073741891.323851480554&type=3